Sot prokurorët e SPAK-ut të cilët do të monitorojnë krimet zgjedhore kanë zbarkuar në qarqe të ndryshme të Shqipërisë.

Ata shoqërohen dhe nga grupe oficerësh të BKH-së. Pas informacioneve të mbledhura të monitorimit po kryhen veprime të shpejta hetimore jo thjesht dhe vetëm për të ndaluar dhe akuzuar persona që përfshihen në krime zgjedhore, por edhe për t’i parandaluar ato.

Është e disata herë që oficerët e BKH-së dhe prokurorët e SPAK-ut sipas qarqeve që ata kanë ndarë shkojnë në qarqe të ndryshme të Shqipërisë për të mbledhur informacionin në lidhje me zgjedhjet dhe krimet elektorale.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar miratoi një plan masash në kuadër të hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Këto masa u lëshuan me Urdhër të Drejtuesit të Prokurorisë, më 24.01.2025, bazuar në legjislacionin penal dhe procedural në fuqi, si dhe në zbatim të “Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin 2025”, të këtij institucioni.

Grupet hetimore në terren do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.

Veprat penale në kuadër të krimeve zgjedhore nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme janë:

-Korrupsioni aktiv në zgjedhje (Neni 328 i Kodit Penal);

-Korrupsioni pasiv në zgjedhje (Neni 328/b i Kodit Penal);

-Çdo vepër penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur (Neni 75/a germa (b) i Kodit të Procedurës Penale);

-Çdo vepër penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga zyrtarë të lartë publikë si Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë?, kryetari i bashkisë, deputeti, zëvendësministri, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtues të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj (Neni 75/a germa (c) i Kodit të Procedurës Penale).

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu