Në vitin 2024 sinjalizuesit pranë institucioneve publike dhe private raportuan 12 raste për tu hetuar më tej nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Në raportin vjetor të këtij Inspektorati analizohet se pjesa më e madhe e sinjalizimeve vijnë nga privati dhe konkretisht nga një kompani kurse dy të tjera përfshijnë institucione publike.

Sipas ligjit të vitit 2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i ndryshuar, detyrimin për të përcaktuar një person përgjegjës e ka çdo institucion publik me 80 të punësuar dhe çdo institucion privat me 100 të punësuar.

ILDKPKI raportoi se në analizim të raporteve të paraqitura të sektorit publik, në total 182 raporte vjetore konstatohet se, në 2 njësi përgjegjëse janë sinjalizuar dhe trajtuar raste, në kuadër të ligjit. E para Ministria e Drejtësisë: Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit pranë Ministrisë së Drejtësisë raporton se gjatë vitit 2024 ka regjistruar dhe trajtuar 1 rast sinjalizimi dhe kërkesë për mbrojtje nga hakmarrja.

I dyti Autoriteti i Mediave Audiovizive: Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive raporton se gjatë vitit 2024 ka regjistruar dhe trajtuar 1 rast sinjalizimi. Në përfundim të hetimit administrativ nuk ka rezultuar të jenë kryer shkelje ligjore. Ndërkohë në lidhje me Njësitë Përgjegjëse pranë sektorit privat, janë marrë dhe administruar 258 raporte sinjalizimi, nga të cilat rezulton se 234 Njësi Përgjegjëse kanë paraqitur raportet brenda afateve ligjore.

“Në analizim të raporteve të paraqitura, konstatohet se në 1 Njësi Përgjegjëse janë sinjalizuar dhe trajtuar raste sinjalizimi. Bëhet fjalë për kompaninë “Sisal Albania” sh.p.k. Gjatë vitit 2024 raportohet të ketë pasur 10 raste sinjalizimi, nga të cilat, për 3 prej tyre ka përfunduar hetimi administrativ, ndërsa 7 raste janë ende në proces hetimi” thuhet në raportin e ILDKPKI.

Sipas institucionit në përfundim të hetimeve administrative, për procedurat të cilat kanë rezultuar të kryera në shkelje të kuadrit ligjor të zbatueshëm, është aplikuar masë administrative “gjobë”, ku për periudhën 2017 – 2024, në total, janë marrë 13 masa administrative, si dhe në çdo rast është kërkuar ndaj titullarit të institucionit, marrja e masave për zgjidhjen e situatave të paligjshmërisë./ Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu