
Një fill i padukshëm, por i fuqishëm, lidhte Papa Françeskun me të burgosurit: ishte gjuha e autenticitetit dhe e dhembshurisë. Kështu e kujton me emocion Monsinjor Benoni Ambarus, ipeshkvi përgjegjës për veprat e bamirësisë dhe burgjet, i cili gjatë viteve ka ndarë me Papën angazhimin për të ndihmuar të burgosurit.
“Pak ditë para se të ndërronte jetë, Papa Françesku u shfaq në burgun Regina Coeli. Ishte pa forca, por me praninë e tij donte t’i thoshte botës se nuk mund t’i braktisim ata që jetojnë pas hekurave,” tregon Monsinjor Ambarus.
Ai zbulon gjithashtu një gjest të fundit të jashtëzakonshëm: “Gjithçka që i kishte mbetur, i dhuroi për ta: 200 mijë euro nga llogaria e tij personale.” Një akt larg dritave të kamerave, që flet më shumë sesa shumë predikime.
“Kur i kërkova një ndihmë ekonomike, më tha se fondet ishin shteruar, por se do të gjente diçka në llogarinë e tij. Dhe ashtu bëri,” rrëfen Ambarus.
Lidhja e Papës me të burgosurit ishte e përditshme, e gjallë edhe në momentet më të vështira. “Kur flitej për burgjet, e shihja të vuante. Ishte thellësisht i trishtuar,” shton ai.
Papa Françesku u kujdes që të lahej këmbët e të burgosurve, hapi për ta Portën e Shenjtë në burgun Rebibbia – e vetmja pas asaj të Shën Pjetrit – dhe kërkoi nga institucionet një akt konkret: një ulje simbolike të dënimit me një ose dy muaj. Por as kjo nuk ndodhi.
“Institucionet nuk reaguan. Bilanci im personal nuk është pozitiv,” pranon Monsinjor Ambarus. “Një trishtim i thellë i përfshiu të burgosurit kur kuptuan se askush nuk bëri asgjë për t’u besuar në mundësinë e tyre për t’u rehabilituar.”