Udhëtimi i parë evropian i Papës Françesku ishte ai në Shqipërinë e vogël, ku ende ndihej martirizimi i Kishës Katolike e i gjithë popullit, por ku dëshmohej forca e bashkëjetesës ndërfetare. Ati i Shenjtë Bergoglio e tregoi me fakte se vërtet i deshi shumë shqiptarët, nga gjiri i të cilëve doli Nënë Tereza, përmendur shpesh në homelitë e fjalimet e tij.

Papa Françesku pati një lidhje të veçantë me Shqipërinë e shqiptarët, të cilët deshi t’i vizitonte të parët në Evropë. E përmendte shpesh edhe shenjten shqiptare të bamirësisë, Nënë Terezën, pikë referimi për mënyrën se si duhet të qëndrojë në botë një Kishë gjithnjë në lëvizje, e konceptuar nga Ati i Shenjtë si spital fushor, pra, si një vend për të shëruar plagë e për të ngushëlluar njerëzimin, gjithnjë për udhë, pa u ndalur kurrë, me rrënjë të thella në traditë.

Vizita në Tiranë

Rastësia e pabesueshme që nga viti 1958, sa herë klubi italian ngjitet në kategori një Papë ndërron jetë
Edhe për vizitën e parë të Papës Françesku në Evropë, data ishte 21, si ajo e sotmja, kur gjithë bota vajton humbjen e Pasardhësit të Shën Pjetrit, por muaji ishte i ndryshëm. Ishte 21 shtatori i vitit 2014 – vetëm pak muaj nga zgjedhja e Bergoglio-s dhe nga fillimi i papnisë së tij – kur Papa shkoi për një vizitë njëditore në Tiranë, me dy synime: t’u bënte homazh martirëve shqiptarë të komunizmit, që u persekutuan për të mos e mohuar Krishtin, “deri në flijim”, siç tha edhe vetë Ati i Shenjtë në kryeqytetin e Shqipërisë; e, së dyti, të vinte në dukje modelin e bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve në atdheun e shqipeve, që është “vëllazërim” – nënvizoi gjithnjë në Tiranë – e, jo thjesht “tolerancë”.

Edhe motoja, me të cilën e pritën ipeshkvijtë, kleri dhe besimtarët katolikë ka disi të bëjë me Jubileun e sivjetëm kushtuar shpresës, shpallur po nga Papa Françesku. Ishte: “Së bashku me Zotin, drejt shpresës që nuk zhgënjen”. Ati i Shenjtë, pasi u prit në Pallatin Presidencial (atëherë ishte president, Bujar Nishani), kremtoi meshën në Sheshin Nënë Tereza të Tiranës, ku tha edhe Engjëllin e Tënzot. Pastaj, në Universitetin katolik Zoja e Këshillit të Mirë, takoi krerët e emërtimeve të ndryshme të krishtera dhe ata të bashkësisë myslimane, sunitë e bektashinj. Pasdite, në katedralen e Shën Palit në Tiranë, u foli ipeshkvijve, meshtarëve, murgeshave, rregulltarëve e seminaristëve katolikë, me përqafimin e tij të paharrueshëm e përlotjen ndërsa takonte të mbijetuarit e komunizmit, motër Maria Kaletën dhe don Ernest Simonin, tashmë kardinal. Së fundi, përshëndetja me fëmijët e Qendrës Betania, pranë Tiranës, si edhe me një përfaqësi të asistuarish nga qendrat bamirëse të Kishës Katolike anembanë Shqipërisë, të shoqëruar nga vullnetarët.

Shqipëria, pati thënë Papa Françesku, është ‘tokë heronjsh, që sakrifikuan jetën për pavarësinë e vendit dhe tokë martirësh, që e dëshmuan fenë në kohët e persekutimit’ kundër Kishës Katolike; pati kujtuar edhe vëmendjen që autoritetet civile tregojnë ndaj Selisë së Shenjtë, e cila, nga ana e saj – pati premtuar Papa – nuk do të mungojë ta mbështesë vendin në dialogun me besimet fetare dhe në rrugën drejt integrimit në familjen e popujve evropianë, ku Shqipëria jo vetëm merr, por edhe sjell vlerat, që e kanë dalluar.

 


Viti 2016: shenjtërimi i Nënë Terezës, lumnimi i martirëve

Viti 2016 ishte vit i veçantë hiri për shqiptarët. Papa Françesku shpalli shenjte misionaren shqiptare të bamirësisë, Nënë Terezën, më 4 shtator, ndërsa i dërguari i tij, kardinali Angelo Amato, prefekti i atëhershëm i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kremtoi meshën për shpalljen e 38 martirëve të parë të komunizmit në Shqipëri, më 5 nëntor, në Shkodër.

Nënë Tereza, shenjte e njohur si e tillë jo vetëm nga katolikët, por edhe nga hinduistët, budistët, taoistët, shintoistët, myslimanët e hebrenjtë, u shpall e Lume nga Papa Gjon Pali II në vitin 2003. Gjatë homelisë së meshës, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Françesku pati thënë:

“Misioni i saj (i Nënë Terezës) në periferitë e qyteteve dhe në periferitë ekzistenciale mbetet, në ditët tona, dëshmi e qartë e afërsisë së Zotit me më të varfërit ndër të varfërit. Sot, unë ia dorëzoj gjithë botës së vullnetarëve këtë figurë emblematike të gruas dhe murgeshës: qoftë modeli juaj i shenjtërisë!”

 


E pastaj, me mënyrën popullore të të folurit, që e karakterizonte, Papa shtoi:

“Mendoj se, ndoshta, do ta kemi pak të vështirë ta quajmë Shën Tereza: shenjtëria e saj është aq afër nesh, aq e butë dhe frytdhënëse, saqë spontanisht do të vazhdojmë ta quajmë “Nënë Tereza”. Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë e më shumë se kriteri ynë i vetëm për veprim është dashuria pa interes, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo kufizim dhe e derdhur mbi të gjithë pa dallim gjuhe, kulture, race apo feje. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Mund të mos e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”. Le ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj dhe t’ua dhurojmë atyre, që takojmë për udhë, veçanërisht, të vuajturve. Kështu, do të hapim horizonte gëzimi dhe shprese për kaq shumë njerëz të shkurajuar, që kanë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri”.

Ishte gjithnjë dekreti i Papës Françesku ai që, më 5 nëntor të po atij viti, në katedralen e shën Shtjefnit, në Shkodër, bëri të ngrihen në nderimet e altarit e të shpallen të Lum 38 martirët e parë të krishterë, persekutuar, torturuar e martirizuar gjatë përpjekjes së regjimit të Enver Hoxhës për ta dëbuar Zotin nga Shqipëria. Dhjetë mijë besimtarë morën pjesë në meshën e kryesuar nga prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato, i dërguar i Papës, i cili pati theksuar vlerat e shqiptarëve, që i pëlqenin Atit të Shenjtë: “Edhe në ferrin e një persekutimi arbitrar dhe të padrejtë, martirët shqiptarë treguan ndaj armiqve të njëjtat ndjenja dhe qëndrime të Krishtit: faljen, vëllazërimin, qëndresën, vëllazërimin, mëshirën. Ata janë dëshmitarë të atij njerëzimi të ri, që nuk mbjell në histori luftëra, përçarje e vrasje të pafajshmish, por paqe, gëzim dhe vëllazërim”.

 


Në 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit

Dy vite më vonë, më 19 nëntor 2018, Ati i Shenjtë pret në Vatikan një përfaqësi shqiptarësh nga të gjitha trevat e banuara prej tyre në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e gjetiu, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, “Athleta Christi”. Ngjarja u organizua nga ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, me kujdesin e veçantë të së ngarkuarës së atëhershme me punë, aktualisht ambasadores Majlinda Frangaj. Edhe atëherë, duke vënë në dukje bëmat e Kastriotit, Papa nuk mungoi ta ngrejë lart popullin shqiptar. “Pak herë në histori – pati thënë ai – një individ i veçantë ka mishëruar në mënyrë kaq të qartë e në masë kaq të madhe virtytet e një populli, deri në atë pikë saqë është e vështirë t’i kuptohet shpirti pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh”. Papa nuk pati harruar të përmendë Vitin kushtuar Skënderbeut e, edhe arbëreshët e Italisë, duke vënë në dukje lidhjen e tyre me tokën e origjinës. Duke e dhënë bekimin e tij për të pranishmit e për popullin shqiptar, me kujtimin e martirëve e të Nënë Terezës, Papa, edhe atëherë, la këtë mesazh:

“Uroj sinqerisht që ky përvjetor (550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut) të mos kufizohet vetëm në kremtimin e lavdisë së bëmave të kaluara, por të jetë edhe për Shqipërinë një rast i volitshëm për një angazhim të ripërtërirë nga të gjithë, institucione dhe qytetarë, në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin, duke dobësuar vendin nga forcat dhe aftësitë e domosdoshme për zhvillimin e tij njerëzor e civil”.

 


Tërmeti i vitit 2019

Një vit më vonë, vit tejet i vështirë për Shqipërinë, për shkak të tërmetit të fuqishëm, që shkatërroi sidomos qytetin e Durrësit dhe fshatin e Kodër-Thumanës, mendimi i Papës jo më larg se të nesërmen, gjatë audiencës së përgjithshme të 27 nëntorit, shkoi drejt “popullit të dashur” të Shqipërisë.

“Dua t’i dërgoj përshëndetjen dhe afërsinë time popullit të dashur shqiptar, i cili ka vuajtur kaq shumë këto ditë. Shqipëria ishte vendi i parë në Evropë që desha të vizitoj. Jam pranë viktimave, lutem për të vdekurit, për të lënduarit, për familjet. Zoti e bekoftë këtë popull, që e dua shumë”.

 


Emërimet e ipeshkvijve

Papa Françesku ka vijuar të ndjekë gjithnjë me vëmendje Kishën Katolike dhe popullin në trevat shqiptare, së pari, përmes vizitave “ad Limina” të ipeshkvijve në Vatikan, gjatë të cilave Ati i Shenjtë është informuar periodikisht për gjendjen e besimtarëve e të popullit, në përgjithësi. Pastaj, përmes emërimeve të ipeshkvijve të rinj, si imzot Gjergj Meta në Rrëshen (aktualisht, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë), imzot Arjan Dodaj si kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Giovanni Peragine si koadiutor në kryeipeshkvinë metropolite të Shkodër-Pultit.

 


Lutja për Nënë Terezën

E pastaj, takime të tjera me besimtarët në Vatikan, me përfaqësues të bashkësive të ndryshme fetare e me krerë të shtetit e të qeverisë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia… Pikërisht në këtë të fundit, gjatë vizitës në Memorialin e Nënë Terezës, më 7 maj 2019, Papa Françesku bekoi gurin e parë për shenjtëroren e shenjtes shqiptare, dhe, duke iu lutur, përsëriti atë, që ishte programi i tij i papnisë:

“Të lutemi: ndërmjetëso pranë Krishtit, që edhe ne të fitojmë hirin për të qenë vigjilentë dhe të vëmendshëm ndaj britmës së të varfërve, të atyre që janë privuar nga të drejtat, të sëmurëve, të mënjanuarve, të fundmëve. Zoti na dhashtë hirin ta shikojmë në sytë e atij, që na shikon, thirrjen për ndihmë! Na dhashtë zemër që di ta dojë Zotin e pranishëm në çdo burrë e çdo grua; zemër, që di të shohë në zemrën e atyre, të cilët vuajnë nga padrejtësitë. Na dhashtë hirin të jemi edhe ne shenjë dashurie dhe shprese në kohën tonë, që ka shumë nevojtarë, të braktisur, të shtypur dhe emigrantë. Bëj që dashuria jonë të mos jetë vetëm fjalë, por të jetë e frytshme dhe e vërtetë, që ta dëshmojmë besueshëm Kishën, e cila ka për detyrë t’u predikojë Ungjillin të varfërve, çlirimin robërve, gëzimin të sfiliturve, hirin e shëlbimit të gjithëve”./Vatikan News

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu