Arkitektura e Sheshit “Nënë Tereza”, një nga hapësirat që simbolizon kryeqytetin, do të pasurohet me instalimin e Veprës “Tirana Mooons” të arkitektit Chris Precht, që krijon një Oaz të gjelbër dhe një hapësirë publike dedikuar librit.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e projektit, veçantia e të cilit do të jetë lëvizshmëria e tij dhe mundësia për t’u instaluar në një hapësirë tjetër.

“Është e rëndësishme që projekti është tërësisht  i disponueshëm për t’u bërë i lëvizshëm, pra nuk është një ndërtim me një impakt mbi strukturën e sheshit, por është një instalim i jetueshëm, plotësisht miqësor me mjedisin dhe me njerëzit, që në çdo moment mund të spostohet për diku tjetër. Besoj që në një kohë të shkurtër, projekti për të cilin jemi këtu do të realizohet dhe njerëzit do të kenë mundësi të shijojnë një ambient të veçantë, të posaçëm, ku fokusi patjetër do të jenë fëmijët, por sigurisht edhe familjet dhe të tjerët. Nuk do të jenë kafene, por do të jenë mjedise familjare, ku kryesisht atraksioni do të jetë në funksion të fëmijëve.” – u shpreh për projektin, Kryeministri Rama.

 

Fjala e plote e Rames:

Përshëndetje! Është vërtet me rendësi që ky projekt i mirëmenduar edhe cilësor në aspektin arkitektonik, sepse ka mbrapa një mjeshtër që pavarësisht moshës së re është një ndër arkitektet më të talentuar të gjeneratës së tij sot në botë të mund të bëhet reaalitet.

Tani disa konsiderata që i kam ndarë edhe me Erionin. Së pari është e rëndësishme që projekti është tërësisht  i disponueshëm për t’u bërë i lëvizshëm, pra nuk është një ndërtim me një impakt mbi strukturën e sheshit, por është një instalim i jetueshëm, miqësor, plotësisht me mjedisin dhe me njerëzit që në çdo moment mund të spostohet për diku tjetër.  Besoj që në këtë fazë është gjëja e duhur, besoj që një fazë e dytë do duhet të parashihet për të marrë parasysh edhe shkallët rreth e rrotull të cilat prej shumë e shumë vitesh  praktikisht janë të braktisura për shkak të ekzaktësisht të asaj që tha Frida më parë që në vend se të jetë një hapësire që e fton njeriun, është në fakt një udhëkryq, ku makinat dhe njerëzit thjeshtë kalojnë dhe nëse modulet e zemrës së sheshit do të shtriheshin edhe tek shkallët në të katërta anët dhe do të krijonin mundësi për të mikpritur shumë më tepër njerëz dhe për t’i ofruar shumë më tepër fëmijëve, familjeve atë intimitetin dhe atë perden ndarëse nga trafiku, do të ishte shumë mirë. E në ndërkohë në një fazë tjetër sheshi do duhet të hyjë tek zinxhiri i projekteve të mëdha për parkimet nëntokësore gjë që absolutisht nuk përjashton rikthimin e instalimit po aty, ndërkohë që instalimi mund të përdoret kudo është fleksibël dhe kjo është e mira e tij, madje unë mendoj që ky modul mund të përdoret edhe në sheshe të tjera të lagjeve të Tiranës për t’i dhënë më shumë mundësi jetës këmbësore urbane.

Ndërkohë që përpara disa ditës i madhi dhe i me asnjë të krahasuarin kur shkruan Fan Nolin përkthimin e Don Kishtotit, Fate Velaj më erdhi në zyrë së bashku me një artist shumë të njohur bashkëkohor, Lorenzo Quinn është autori besoj që kush është pak i interesuar për botën e sotme të artit dhe të arkitekturës nuk ka si se ka parë. Është autor i atyre dy duarve që dalin nga uji dhe mbajnë një “mur” në Venecia. Dhe bëmë një diskutim për të imagjinuar duart e Nënë Terezës në mes të sheshit, por në  një përmasë shumë të madhe, sikurse janë edhe duart e tij atje në Venecia, por në një kontekst tjetër dhe ai e pa sheshin dhe u bë shumë entuziast për këtë ide. Por  janë faza të tjera që me patjetër lidhen edhe me zhvillimin e mëtejshëm të Tiranës në këtë zonë.

Tirana tanimë është bërë vendi ku po ndodh diçka në qetësi, pa bujë, pa reklamë që shumëkush në botën e vogël, por me impakt të madh në botën e arkitekturës bashkëkohore e konsideron të ngjashëm me eksperiencën unikale të Neë York-ut të viteve ’30, sepse një rrjet i gjerë arkitektësh me famë botërore, ndër të cilët 7 apo 8, në mos 9 tani me një të fundit që erdhi nga Japonia janë laureatë të çmimit “Pritzker”, që është Nobel-i i arkitekturës dhe pastaj plot të tjerë, ndër të cilët edhe Chris  janë të angazhuar me projekte në të gjithë Shqipërinë, por kryesisht në Tiranë.

Në qershor kemi planifikuar të bëjmë edicionin e parë të festivalit që e kemi quajtur “Bukë dhe zemër” dhe ka moton “më sill pak kripë të lutem” me pikërisht me gjithë këta protagonistë të këtij transformimi që janë arkitektë dhe besoj që ai festival do të jetë një aktivitet që qëllimi është ta bëjmë të përvitshëm, por që do të sjell pastaj këtu në Tiranë dhe gjithmonë do të ketë një pjesë të dytë dikur tjetër në Shqipëri, këtë vit mbase në Elbasan, studentë, arkitektë, pedagogë, kritikë, dashamirës të arkitekturës nga e gjithë bota. Dhe e them këtë sepse faktikisht, jo shumë larg nga këtu janë disa projekte tanimë të aprovuara që janë në rrugën e përfundimit të projekteve ekzekutive, ndër të cilat është projekti i njërit prej arkitektëve më të veçantë sot të gjallë Valerio Olgiati, por po ashtu në anën tjetër janë në zhvillim e sipër të tjera projekte të arkitektëve shumë të njohur dhe në ndërkohë Korporata Shqiptare e Investimeve do të shpallë edhe konkursin për rishpikjen mund të themi, nëse mund të përdor këtë fjalë, rikualifikimin, – Frida e thotë më mirë – të Pallatit të Kongreseve, me të njëjtën formulë si me stadiumin ku do të fitojmë një pallat kongresesh të transformuar, të rinovuar dhe patjetër do shohim si do paraqiten dhe  cili do jetë projekti më i mirë. Konkurs ndërkombëtar që do të thotë do të duhet të mbështesin gjithë këto zhvillime me më shumë parkingje nëntokësore dhe do të duhet të ecim edhe me një program të ri, që është një program kombëtar se bashku me Fondin e Zhvillimit për një infrastrukturën parkimesh mbitokësore, por jo parkime mbitokësore, si ato që keni parë  nëpër aeroporte që janë një shëmti totale, por parkime nëntokësore me një prekje magjike të këtyre ustallarëve të mëdhenj të arkitekturës që do të jenë një tjetër atraksion për Shqipërinë, siç kanë mbetur një atraksion pjesë të infrastrukturës së dikurshme ushtarake.

Thënë të gjitha këto besoj që në një kohë të shkurtër, projekti për të cilin jemi këtu sot do të realizohet dhe njerëzit do të kenë mundësi të shijojnë një ambient të veçantë, të posaçëm, ku fokusi patjetër do të jenë fëmijët, por sigurisht edhe familjet dhe të tjetër, por është pak por e sigurtë, nuk do të jenë ata frekuentuesit besnikë të kafeneve për kohë të gjatë. Pra nuk do të jenë kafene, do të jenë mjedise familjare ku kryesisht atraksioni do të jetë në funksion të fëmijëve.

Dua të falënderoj dhe një herë Chris, dua të falënderoj ekipin e bashkisë për punë që e kanë bërë, për sjelljen deri këtu të këtij procesi dhe jam shumë i bindur, që kur Tirana që ne po e shohim të projektohet hap pas hapi pas perdeve të skenës aty ku janë arkitektet, aty ku janë zhvilluesit, aty ku janë proceset paraprake, të marrë formë në realitetin  e të gjithë kryeqytetasve dhe në realitetin e mbarë Shqipërisë, ky do të jetë kryeqyteti më i jashtëzakonshëm i rajonit. Kjo nuk diskutohet, por do të jetë dhe një ndër kryeqytetet më tërheqës të Europës dhe këtë e them me bindje të plotë.

Do të jetë një qytet ku do të ketë një arsye më shumë dhe shumë të fortë për të ardhur dhe vizituar. Dhe nëse në Bilbao që ishte një qytet i zymtë, një qytet i goditur jashtëzakonisht shumë dhe nga stigma e terrorizimit, e pasigurisë, një qytet me një problematikë të rënde të zhvillimit ekonomik dhe social për 1001 arsye, një vepër, vepër e jashtëzakonshme e Frenk Geri “Guggenheim” solli një impakt që ka hyrë në fjalorin e të gjithë atyre që meren me këto punë si efekti “Bilbao”, efekt që lidhet me impaktin e “Guggenheim”, këtu efekti i asaj që po ndërtohet dhe që po projektohet patjetër që do të hyjë ne historinë e këtij vendi dhe do të mbetet për një kohë të gjatë.

Dhe nëse sot flasim për Gherardo Bosio-n dhe flasim për Armando Brasini-n dhe flasim për disa italianë që i solli në Shqipëri vizioni i mbretit Zog asokohe, por që sidoqoftë janë prani modeste të një kohe që për atë periudhe ishin, nuk diskutohet, një thyerje e madhe me katundin kryeqytet ose krye katundin.

Sot jam i bindur që më pas kjo do të jetë periudha e dytë e historisë “Tirana kryeqytet” që fillon si qytet me bulevardin dhe me ndërtesat e projektuara nga një grusht italianësh dhe që do të hyjë në radhën e parë të qyteteve të Europës për arsye të jo më të një grushti arkitektesh, por të një armate arkitektesh. Ne kështu e quajmë mes nesh armë Art Army që do të ketë një impakt absolutisht të ngjashëm me atë të “Guggenheim” në Bilbao.

Siç thotë Erion Veliaj që e ka mësuar nga unë: ditët më të mira janë të gjitha përpara!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu