Fjala e Edi Rames:

Mirëmëngjesi të gjithëve! Siç e tha kryetari i grupit, ky është një takim jashtë radhe i grupit me kërkesë të kryetares së Komisionit të Ligjeve, gjë që e kemi pranuar për faktin se të gjithë jemi në njëfarë mënyrë befasuar që kryetarja e Komisionit të Ligjeve figuron në atë akt-akuzën thuajse 400 faqe për Kryetarin e Bashkisë dhe bashkëshorten e tij, ndërkohë që Kryetarja e Komisionit të Ligjeve e ka marrë vesh përfshirjen e saj në këtë akt-akuzë si një person i dyshuar nga televizori. As nuk është thirrur, as nuk është pyetur, as nuk është dëgjuar versioni i saj,

Përpara sesa t’ia kaloj fjalën Kryetares së Komisionit të Ligjeve dua ta bëj shumë të qartë që qëndrimi ynë lidhur me mbështetjen pa rezerva të çdo procesi të  drejtësisë, të institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat kanë detyrën të bëjnë luftë pa kompromis kundër korrupsionit mbetet një qëndrim i pandryshuar.

Ajo që ndryshon është qe ne kemi detyrën të kontribuojmë jo thjeshtw me mbështetjen e padiskutueshme institucionale dhe politike ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe me opinionet tona në mënyrë që pavarësia e panegociueshme e prokurorëve dhe gjykatësve të jetë sa më e lidhur me profesionalizmin dhe me garantimin e standardeve demokratike të çdo procesi.

Në të kundërt, ne biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën sesa me të ardhëm. Pse sepse diktaturë apo republikë hetuesish, Shqipëria ka pasur në të shkuarën.

Kjo është një republikë parlamentare, ku në bazë të Kushtetutës pushtetet janë të pavarura.

Pra, nuk është vetëm drejtësia e pavarur nga legjislativi dhe nga ekzekutivi, por është edhe legjislativi dhe ekzekutivi të pavarur nga pushteti i drejtësisë. Janë tre pushtete që operojnë në kornizën e tyre kushtetuese.

Në të shkuarën kështu veprohej në letër, por kishte një ombrellë që ishte diktatura e proletariatit, e cila funksiononte përmes diktaturës së hetuesve.

Sot, kjo është në letër, kjo duhet të jetë në realitet dhe këtu kemi një problem dhe këtu duhet të marrim një përgjegjësi për faktin se sot në debatin publik ka vetëm dy palë; njëra që duartroket dhe brohoret sa herë që shfaqet “gijotina”. Sipas asaj pale të gjithë janë për burg, të gjithë janë për litar, të gjithë janë për t’u vrarë dhe tjetra është pala që sulmon në mënyrë banditeske organet e reja të drejtësisë dhe që shënjestron me libër shtëpie prokurorët dhe gjykatësit që bëjnë detyrën e tyre, duke filluar nga drejtuesi i SPAK, i cili ka të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin tonë sa i përket të gjithë baltës që ka marrë dhe merr familjarisht. Por, mungon një pozicion konstruktiv, mungon një palë konstruktive që duhet të jetë edhe garantë e pavarësisë së gjyqësorit, por duhet të jetë njëkohësisht edhe garante e lirive, të drejtave, standardeve demokratike sepse siç thashë, përndryshe biem në kurthin e të kaluarës dhe për mua është e pakonceptueshme që Kryetarja e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, pa hyrë fare në meritën e çështjes, pa diskutuar fare se a ka apo nuk ka të drejtë akuza që e përfshin në atë roman thuajse 400 faqe, e merr vesh nga televizori dhe e merr vesh duke dëgjuar gazetarët specialë sepse ne kemi Prokurori Speciale, kemi Gjykatë Speciale, kemi dhe disa gazetarë specialë, të cilët disponojnë sekrete hetimore, të cilët disponojnë ushqim që u vjen nga stacioni i trenit për t,u hedhur në pazarin e madh të gjësë së gjallë dhe për t,u bluar pastaj në ato udhëkryqet e rrugaçërisë nokturne ekran më ekran.

Kjo është e papranueshme.

As dje, as sot dhe as nesër, deri kur unë do të jem në krye të kësaj force politike të paktën, kjo forcë politike nuk do të marrë përsipër të japë pafajësi për askënd që hetohet nga drejtësia, por ama, ndryshe nga deri dje, sot e tutje kjo forcë politike nuk do të heshtë përballë shkeljeve flagrante të standardeve dhe brutalitetit të kujtdo qoftë që ushtrimin e forcës së konsoliduar tanimë të pavarësisë, sepse vetëm një idiot apo një maskara mund të thonë paskëtaj që ne kontrollojmë drejtësinë. Jo, ne kemi marrë zyrtarisht certifikatën që duart tona janë larg fare drejtësisë, ama ne nuk jemi këtu hunj gardhi që thjesht dhe vetëm të përcjellim lajme, të japim mbështetje pafund dhe të mos themi asgjë kur biem në gjurmë, me ose pa dashje të episodeve si ky.

Minimalisht kryetarja e komisionit të ligjeve duhej thirrur dhe duhej pyetur. Ku jemi këtu? Në cilën republikë jemi këtu, që dikush thotë çfarë të dojë për dikë dhe mjafton që ky i përfoluri të nxirret me emër dhe mbiemër në ato udhëkryqet e natës si person i dyshuar pa u pyetur minimalisht. Por nuk është vetëm kjo. Ka shumë gjëra që janë një arsye për një reflektim të përgjithshëm dhe të përbashkët të të gjithëve sepse gjithçka është ndërtuar me mund dhe falë përkushtimit, falë vullnetit, falë punës së prokuroreve dhe gjykatësve nuk mund të shembet, por përkundrazi duhet të mbrohet dhe duhet të forcohet duke vënë në pah të gjitha vrimat dhe të gjitha cedimet e murit të ri të drejtësisë.

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu