
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përmbyllur sonte fushatën zgjedhore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me thirrjen drejtuar qytetarëve që ditën e zgjedhjeve të dalin dhe të votojnë për fitoren e kësaj partie.
Kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku ka shprehur besimin për fitoren e partisë që ai drejton.
“Në sheshin ku historia e Kosovës do të qëllojë edhe një datë kur u kuptua qartë se LDK është ngritur sërish në këmbë. Datën kur themi se krejt Kosova është LDK. Sonte shënojmë një moment definues të historisë se popullit tonë. Duke ju parë në masë kaq të madhe them në plot bindje se po shkojmë në fitore. Do të shikojmë me mburrje në këtë 8 shkurt dhe do të kuptojnë se fitorja jonë u vulos. Po bëhemi bashkë nën dy hije, në njërën anë të shtatores së Ibrahim Rugovës, e në anën tjetër të Skënderbeut, bashkë jemi të pandashëm e të pandalshëm. Jemi mbledhur rreth ëndrrës për ndryshim në vend të thirrjes për përçarje”, tha ai.
Kandidati për Kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, i ka pasur disa porosi për përkrahësit e PDK-së në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Hamza ka thënë se sonte i ka edhe disa porosi për mijëra qytetarë dhe simpatizantë të PDK-së që janë në këtë shesh.
“E diela është dita jonë. Borë a shi, nxehtë a ftohtë, kemi me dalë në numër rekord, kemi me dalë me motra e me vëllezër, me gra e me burra, me nënë e me babë. Kemi me dalë i madh e i vogël. Dhe kemi me e dëshmu edhe një herë, ashtu qysh e kemi dëshmu më 1999 dhe më 2008, se burimi i lirisë dhe demokracisë sonë janë qytetarët që duan bashkim dhe jo politikanët që duan përçarje. Do t’i thyejmë rekordet e daljes në votime. Do t’i thyejmë rekordet e votave dhe do t’i tregojmë të gjithëve, që një faqe e re e historisë po hapet. Një faqe e bardhë e mbushur me shpresat, me punën dhe me kontributin tuaj. Pra, e diela është dita jonë, të cilën do ta mbajmë në mend me gëzim përjetësisht”, ka thënë Hamza.
Një ditë më parë në të njëjtin shesh, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kërkoi gjysmë milioni vota në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Ai tha se këto vota për mandatin e tretë i duhen sepse ndërkombëtarët e kanë vënë në lupë Kosovën, ndërsa Serbia po e ruan me dylbi.
Kurti renditi gjithë arritjet e qeverisjes së tij në Kosovë duke thënë madje se edhe pse LDK e PDK e kanë mbajtur më herët pushtetin në Kosovë ishte qeverisja e tij koha kur u rikonstruktua kompleksi memorial i Adem Jasharit në bastionin e PDK, Drenicë dhe shtëpia e liderit historik të Kosovës themeluesit të LDK, Ibrahim Rugova. Sipas Kurtit, Vetëvendosje ka ende punë për të bërë dhe për të dhënë për Kosovën.