Dhjetëra liderë botërorë janë mbledhur në Zvicër në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës mbi dyvjeçare në Ukrainë, por mungesa e zyrtarëve rusë dhe kinezë i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.

Një ditë para samitit dyditor që nisi më 15 qershor, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i bëri thirrje Kievit të heqë dorë nga synimet për t’u bërë pjesë e NATO-s, dhe t’i dorëzojë plotësisht katër provincat ukrainase të aneksuara nga Moska.

yacht hotel sarande

Propozimi i Putinit, të cilin Kievi e quajti “absurd” dhe “manipulues”, është shenjë e vendosmërisë së Putinit për ta vazhduar konfliktin, duke e lënë nën hije samitin.

Më shumë se 90 vende dhe organizata ndërkombëtare po marrin pjesë në takimet e samitit, i cili do të mbahet në një resort bjeshkor në qytetin Burgenstok.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, dhe liderët e Francës, Gjermanisë, Kanadasë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Japonisë, janë në mesin e atyre që pritet të marrin pjesë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në këtë samit, gjithashtu, konfirmoi të premten Zyra e saj.

India, Turqia dhe Hungaria, të cilat kanë marrëdhënie miqësore me Rusinë, pritet të marrin pjesë gjithashtu.

Zvicra u pajtua të jetë nikoqire e samtit me kërkesë të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në përpjekje për ta hapur rrugën për një proces të paqes në të ardhmen, i cili do ta përfshinte edhe Rusinë.

Por, Moska nuk u ftua fare në këtë samit, të cilin zyrtarët ukrainas e kanë cilësuar si “samiti për paqe”. Edhe para deklaratave të Putinit më 14 qershor, zyrtarët rusë e kanë hedhur poshtë samitin duke e cilësuar si të “pavlerë”.

Kjo e ka nxitur Kinën, e cila është partnere e madhe e Moskës në tregti dhe i mbështet shumicën e qëndrimeve të Moskës në arenën ndërkombëtare, vendosi të mos marrë pjesë.

“Çfarë mund [Zelensky] të shpresojë nga ky [samit]? Një hap tjetër të vogël drejt solidaritetit ndërkombëtar me Ukrainën si viktimë të agresionit rus”, tha për Reuters Daniel Woker, ish-ambasador zviceran.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur në shkurt 2022, nuk po tregon shenja përfundimi. Megjithëse i ka pësuar së paku 350.000 ushtarë të vrarë dhe plagosur, sipas zyrtarëve amerikanë, ushtria e Rusisë ka vazhduar të çajë përpara.

Muajin e kaluar, Rusia e nisi një ofensivë në rajonin verior Harkiv. Por, Ukraina ia ka dalë ta frenojë atë, pasi dërgoi njësite të reja në atë pjesë dhe i përforcoi pozicionet.

Megjithatë, mungesa e armëve nga Shtetet e Bashkuara – pasi furnizimi ngeci për disa muaj për shkak të mosmarrëveshjeve në Kongres – i dha përparësi në fushëbetejë Rusisë. Rusia përfitoi edhe nga paaftësia e Ukrainës për të sjellë trupa shtesë në fushëbetejë.

Besohet Ukraina ka pësuar pothuajse humbje të njëjta në personel sikurse Rusia gjatë kësaj lufte.

Bisedimet në samitin në Zvicër pritet të përqendrohen në shqetësime më të gjëra të shkaktuara nga lufta si, ushqimi dhe siguria bërthamore, dhe liria e lëvizjes, sipas një drafti të parë nga Radio Evropa e Lirë.

Shkëmbimi i të burgosurve dhe kthimi i fëmijëve ukrainas të marrë nga Rusia – një çështje që e nxiti Gjykatën Ndërkombëtare Penale të ngrejë aktakuzë kundër Putinit – pritet të jetë në agjendë gjithashtu.

Para samitit, Grupi i Shtatë (G7) vendeve më të industrializuara u pajtua t’ia japë Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh duke përdorur asetet e ngrira ruse.

Më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e nënshkruan një marrëveshje sigurie 10-vjeçare, të cilën ata e përshëndetën si një moment historik në marrëdhëniet midis vendeve të tyre.

Biden, i cili nuk po merr pjesë në samitin për paqe në Zvicër me gjithë lutjet nga Zelensky, tha se SHBA-ja do t’ia dërgojë Ukrainës edhe një sistem kundërajror Patriot.

Së fundi, SHBA-ja i dha leje Ukrainës t’i përdorë armët amerikane për sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin. REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu