Enti Rregullator i Energjisë (ERE), u vu në lëvizje pas një kërkese të bërë nga Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e Operatorit të sistemit të shpërndarjes. Pasi prej një kohe të gjatë, çmimi i energjisë elektrike, ishte mbajtur në nivelin e 9.5 lekëve për kilovat/orë, duke nisur nga muaji i ardhshëm, ky çmim do të ulet me 1 lek, ose me 10.5 përqind, për të gjithë ata abonentë familjarë që konsumojnë deri 700 kilovat/orë në muaj.
Sipas të dhënave të ofruara sot nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nga kjo masë pritet të përfitojnë 1 milionë e 70 mijë abonentë, ose gati 95 përqind e konsumatorëve familjarë. Kush do të kalojë nivelin e 700 kilovat/orëve në muaj, do të vijojë të paguajë për të gjithë energjinë e konsumuar, çmimin prej 9.5 lekësh.
Ministrja Balluku deklaroi se ulja e çmimit “korrespondon me 3.1miliardë lekë në vit që nga OSHE-ja, shkon në lehtësim për familjet shqiptare, ndërkohë që kursimi maksimal është për 1 abonent, rreth apo mbi 100 euro në vit”.
Ajo shpjegoi se vendimi erdhi si pasojë e ecurisë së mirë të aktivitetit të ndërmarrjeve të sektorit energjitik “duke pasur dy elementë të rëndësishëm, normën e arkëtimit gjithmonë në rritje dhe humbjet teknike, gjithmonë në ulje, ne kemi arritur të konsolidojmë performancën e OSHEE, duke i dhënë mundësi dhe hapësirë fiskale për uljen e çmimit”
Ndërsa humbjet teknike kanë zbritur në nivelin e 17.9 përqind, arkëtimet janë në nivelin maksimal.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi vendimin për uljen e çmimit një arritje historike, rezultat siç tha ai i reformave të thella që kanë prekur sektorin.
Në Shqipëri energjia elektrike ka qenë historikisht e bazuar në burimet hidrike, por vendi po kërkon të shfrytëzojë dhe burimet e tjera. Sipas Kryeminisrit Rama, nga investimet e nisura “kemi 1300 megavat energji diellore, 1.3 giga. Që do të thotë në total do të arrijmë objektivin e 30 përqind të prodhimit të energjisë totale nga burime të tjera përveç ujit, kam parasysh diellin, kam parasysh dhe 300 megavat energji ere që janë projekte tanimë të futura në proces”.
Zoti Rama tha se aktualisht Shqipëria është në vend të parë në rajon për prodhimin e energjisë nga dielli, me 196 megavat, ndërsa Serbia e cila është në vend të dytë, prodhon nga impiantet fotovoltaike 51 megavat./Voa