Bosi i kokainës Dritan Rexhepi, që u arrestua të Stamboll të Turqisë, në nëntor 2023, do të ekstradohet gjatë ditës së sotme nga shteti turk. Ai pritet të vijë në Rinas rreth orës 13:00. Policia njofton se si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, pritet që ditën e sotme, të ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi.
Ndërkohë ora e mbërritjes së tij në Rinas ende nuk bëhet me dije.
Rexhepi, i cilësuar si kreu i kartelit të drogës me emrin ‘Kompania Bello’, kërkohej nga Italia dhe Shqipëria nën akuzën se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë. Siç raportuan mediat turke në atë kohë, Rexhepi kishte hyrë në Turqi me pasaportë false kolumbiane, ndërsa u kap më 8 nëntor 2023 gjatë një operacioni në Stamboll.
I shumëkërkuari është dënuar nga drejtësia shqiptare për vrasje dhe është në gjykim për dyshimet se ka urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës, pas grabitjes së një sasie kokaine nga i vëllai i këtij të fundit në Angli.Në vendin tonë, ai akuzohet për tre vepra kriminale: rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, vrasje në Krujë vite më parë, falsifikim dokumentesh në Fier.
Rexhepi gjithashtu kërkohet edhe nga autoritetet italiane për çështje të trafikut të drogave, si një nga drejtuesit e një grupi kriminal.
Dosja kriminale e Dritan Rexhepit
‘Karriera’ kriminale e Dritan Rexhepit nisi në vitin 1998 me vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi. Asokohe Rexhepi ishte 19 vjeç. Atëherë u dyshua se krimi ishte kryer me pagesë.
Në 2005, Rexhepi kishte vendosur të studionte për drejtësi, por plani i tij nuk u realizua kurrë, sepse sipas tij, ishte akuzuar gabimisht për vrasje. Kjo gjë e drejtoi drejt tregtisë së drogës.
Në 2006-ën, policia e arrestoi Rexhepin në Tiranë, në një prej hoteleve më luksoze të kryeqytetit me një armë tip pistoletë pa leje. Rexhepi u transferua në ambientet e Drejtorisë së Policisë Durrës, që kishte në juridiksion zonën e Krujës. Rexhepi u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje. Dy vite më vonë u arrestua në Holandë dhe u ekstradua në Itali ku ishte dënuar për trafik droge
Në vitin 2011, ai u arrit të arratisej nga burgu i Pavias në Itali, së bashku me dy shqiptarë të tjerë. Ata kishin arritur të prisnin hekurat me sharrë hekuri dhe të zbrisnin me çarçafë.
Po në 2011, Rexhepi u arrestua nga policia e Spanjës por nuk u ekstradua drejt Italisë. Në vend të kësaj, u mor vendimi për ekstradimin drejt Belgjikës ku gjithashtu kërkohej për trafik droge. Ai u çua në një burg në Antëerp nga ku arriti të arratisej sërish pasi rojet nuk ishin lajmëruar për nivelin e rrezikshmërisë së tij.
Gazetarët në Spanjë shkruan disa ditë rresht për shqiptarin e kërkuar, pasi ai realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, mbrëmjen kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e “Champions Lige”-s nga ekipi i Barcelonës.
Pas kësaj arratisje, Rexhepi dyshohej se jetonte në Roterdam nga ku më pas së bashku me një grup shqiptarët ngriti rrjetin e trafikut të drogës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Në qershor 2014, Rexhepi u arrestua përsëri në Quito të Ekuadorit si pjesë e një operacioni të policisë vendore, ku u sekuestruan 278 kilogramë kokainë. Në Ekuador, ai u dënua me 13 vite burg por u lirua përkohësisht nga një gjykatës ekuadorian në fund të vitit 2021. Në atë moment ai kishte vuajtur gjysmën e dënimit. Fakti që Shqipëria dhe Italia kërkuan ekstradimin e tij nuk e ndaloi gjyqtarin ekuadorian ta lironte. Rexhepi, i cili vuan nga sëmundja autoimune lupus, u lirua me kusht në nëntor 2021 për “sjellje të mirë” dhe për shkak se “nuk do të kishte rrezik arratisje”.
Rexhepi rezultonte i regjistruar me emrat Ioannis Dionysopoulos (emër grek) dhe me Lulzim Murataj (emër shqiptar) e Gramoz Rexhepi (emër shqiptar)./shqiptarja