Nga Yolande Knell, Korrespondente e Lindjes së Mesme, BBC
Betlehem- Një figurë e foshnjës Jezus u vendos në majë të një grumbulli rrënojash në Kishën Ungjillore Luterane të Betlehemit, me predikime të fokusuara në luftën e Gazës
Qyteti i vogël i Betlehemit në Bregun Perëndimor të pushtuar ka arsye të mira për ta konsideruar veten kryeqytetin e Krishtlindjeve, por këtë vit nuk i ngjan aspak atij.
Ka shumë pak vizitorë në atë që zakonisht është një kohë piku. Nuk ka dekorimet e zakonshme të gëzuara të rrugës dhe as pema gjigante e Krishtlindjeve përpara Kishës së Lindjes, e ndërtuar mbi vendin ku besohet se ka lindur Jezusi.
Festimet publike të Krishtlindjeve janë anuluar për të dytin vit për shkak të luftës në Gaza. Të krishterët palestinezë marrin pjesë vetëm në ceremonitë fetare dhe tubime familjare.
“Kjo duhet të jetë një kohë gëzimi dhe festimi,” komenton Reverend Dr Munther Isaac, një pastor lokal luteran. “Por Betlehemi është një qytet i trishtuar në solidaritet me vëllezërit tanë në Gaza.”
Në kishën e tij, skena e Lindjes tregon foshnjën Jezus të shtrirë në një grumbull rrënojash. Në prag të Krishtlindjes, një shërbesë lutjesh u fokusua në situatën katastrofike në Gaza.
“Është e vështirë të besohet se një tjetër Krishtlindje ka ardhur te ne dhe gjenocidi nuk ka të ndalur”, tha Isaac në predikimin e tij të formuluar fort. “Vendimmarrësit janë të kënaqur që kjo të vazhdojë. Për ta, palestinezët janë të zëvendësueshëm.”
Izraeli mohon me forcë akuzat për gjenocid në Gaza dhe gjyqtarët në gjykatën më të lartë të OKB-së nuk kanë vendosur ende për një çështje që pretendon gjenocid, të ngritur nga Afrika e Jugut.
Shumë të krishterë e Betlehemit që takoj ndjehen të dëshpëruar dhe vënë në dyshim atë që ata e shohin si dështimin e komuniteteve të tjera të krishtera në mbarë botën për të folur.
Lidhjet e ngushta midis anëtarëve të komunitetit të vogël të krishterë palestinez nënkuptojnë se shumë vendas kanë familje dhe miq në Gaza.
“Mamaja ime më tha se ajo që shohim në televizion nuk kap një për qind të asaj që po ndodh,” thotë teologu, Dr Yousef Khouri, i cili është me origjinë nga qyteti i Gazës.
Prindërit dhe motra e tij janë në mesin e disa qindra të krishterëve që kanë kaluar pjesën më të madhe të 14 muajve të fundit duke u strehuar në dy kisha të Gazës.
“Ata i nënshtrohen urisë si gjithë Rripi i Gazës. Sigurisht, pothuajse pa gjumë për shkak të bombardimeve, për shkak të të gjithë dronëve që rri pezull mbi kokat e tyre dhe mungesës së kujdesit dhe shërbimeve mjekësore,” thotë ai.
“Kemi humbur miq dhe të afërm.”
Shumë guida turistike në Betlehem janë pa punë pasi turizmi në qytet është ndalur
Në Gaza, më shumë se 45,000 njerëz janë vrarë në luftën e nisur si përgjigje ndaj sulmeve të Hamasit në Izraelin jugor. Shifrat vijnë nga ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, por konsiderohen të besueshme nga OKB-ja dhe të tjerët. Sulmi i 7 tetorit 2023 vrau rreth 1200 njerëz – izraelitë dhe disa të huaj – dhe çoi në marrjen peng të rreth 250 personave.
Tensionet janë rritur në Bregun Perëndimor paralelisht me luftën. Izraeli ka vendosur kufizime të reja në lëvizjet e palestinezëve dhe ka anuluar dhjetëra mijëra leje për punëtorët që kalonin në Jerusalem ose vendbanimet hebraike çdo ditë.
Ekonomia është në gjendje të vështirë veçanërisht në Betlehem, i cili mbështetet shumë në turizmin që pothuajse është ndalur plotësisht. Ciceronët qëndrojnë duarkryq pranë Kishës së Lindjes, duke ushqyer pëllumbat.
“Nëse ka turistë, të gjithë njerëzit do të punojnë: hotele, transport, akomodim, të gjithë ata,” thotë një udhërrëfyes, Abdullah. “Por nëse nuk ka turistë, nuk ka jetë në qytetin e Betlehemit.”
“Jam i mbaruar! Nuk ka punë! Për më shumë se një vit ne qëndrojmë në shtëpi,” thërret Adnan Subah, një shitës suveniresh në Star Street.
“Djali im është një guidë turistike në kishë, ne qëndrojmë në shtëpi, të gjithë fëmijët e mi qëndrojnë. Pa punë, pa biznes, pa turistë.”
Wael Shaer drejton Palestine Lions Club, një grup komuniteti që paketon ushqime për ata në nevojë në Betlehem
Shumë familje lokale të krishtera dhe myslimane kanë emigruar vitin e kaluar. Me kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës dhe zgjerimin e vendbanimeve në tokat ku palestinezët kanë kërkuar prej kohësh një shtet të pavarur të tyre, ka frikë dhe pasiguri në rritje për të ardhmen.
Por një grup komuniteti në Betlehem po përpiqet të bëjë një ndryshim: të paketojë pako ushqimore për ata që kanë nevojë. Këtu nuk ka asnjë ndihmë qeveritare dhe vullnetarët kanë mbledhur donacione – duke përfshirë edhe ata në diasporë.
“Siç e dini Krishtlindjet janë shpirti i dhënies, dashurisë dhe gëzimit. Dhe ne shpresojmë që me këtë pako të mund t’u japim pak shpresë dhe gëzim familjeve në zonën tonë,” thotë Wael Shaer, kreu i Palestine Lions Club.
Unë ndjek Wael duke bërë dhurimin e tij të parë tek një grua që jeton në një apartament aty pranë. Burri i saj është i sëmurë dhe pa punë. Ajo me mirënjohje hap kutinë e furnizimeve që i jepet dhe merr një zarf me para.
Ajo dhe Wael shkëmbejnë një përshëndetje të zakonshme për pushime duke i uruar njëri-tjetrit një vit të qetë përpara.
“Misioni u krye!” Më thotë Wael ndërsa nisemi.