“Kjo është nata në të cilën Zoti i thotë secilit: ka shpresë për ty”, tha Papa në Meshën e Natës së Krishtlindjes, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Është koha “të indinjohemi për gjërat që nuk janë të drejta dhe të kemi guximin t’i ndryshojmë ato”.
R.SH. / Vatikan

yacht hotel sarande

Papa Françesku kryen ritin që përuron Vitin e Shenjtë dhe i pari e kalon portën e Bazilikës së Shën Pjetrit, i ndjekur nga mbi 50 shtegtarë të ardhur nga vende të ndryshme te botës me veshje tradicionale. Rreth 25 mijë besimtarë në shesh të Vatikanit, 6 mijë të tjerë në Bazilikën ku Papa kremton Meshën e Natës së Shenjtë të Krishtlindjes. Në predikim ftesa për të “transformuar” një botë të rrënuar nga varfëria, skllavëria e konfliktet: “Le të mendojmë për fëmijët të vrarë, për bombat në shkolla dhe spitale”.

HOMELIA E ATIT TË SHENJTË

Mesha Shenjte e Krishtlindjes

Përmblidhet në homelinë e Natës së Kshndellave e gjithë jeta e botës së madhe, botë e cila drejtohet kah Shpella e Betlehemit, për të kundruar bukurinë e Zotit, që e mposht mosbesimin dhe frikën tonë! E edhe kah “Dera e shenjtë” e zemrës së Zotit Jezus, që vjen për mua, për ty, për ne, për çdo burrë e çdo grua. E me Të lulëzon gëzimi, me Të ndryshon jeta. Me Të, sodisim edhe madhështinë e shpresës, që na pret.

Me Krishtin lulëzon gëzimi, ndryshon jeta, nuk zhgënjehet shpresa

Një engjëll i Zotit, i mbështjellë me dritë, ndriçon natën dhe u jep barinjve lajmin e mirë: “Po ju kumtoj një gëzim të madh, që do të jetë për të gjithë popullin: sot, në qytetin e Davidit, lindi për ju një Shëlbues, që është Krishti Zot” (Lk 2,10-11). Ndërmjet habisë së të varfërve dhe këngës së engjëjve, qielli u hap përmbi dhe: Zoti u bë njëri prej nesh, për të na bërë edhe ne si veten; zbriti mes nesh, për të na ngritur dhe për të na çuar përsëri në përqafimin e Atit.

Kjo është shpresa jonë! Zoti është Emmanueli, është Zoti me ne. Pambarimisht i madh, u bë i vogël; drita hyjnore ndriçoi ndërmjet terrinave të botës; lavdia e qiellit shndriti mbi tokë, në vogëlsinë e një Fëmije. E nëse Zoti vjen, edhe kur zemra jonë i ngjan një grazhdi të varfër, atëherë mund të themi: shpresa nuk vdiq, shpresa është gjallë dhe do ta mbështjellë jetën tonë përgjithmonë!

Vëllezër e motra, me hapjen e Derës Shenjte nisëm një Jubile të ri: secili prej nesh mund të hyjë në misterin e shpalljes së këtij hiri. Kjo është nata kur dera e shpresës u hap në dy kantat mbi botën; kjo është nata në të cilën Zoti u thotë të gjithëve: ka shpresë edhe për ty!

Për të mirëpritur këtë dhuratë, jemi të thirrur të vihemi për rrugë me habinë e barinjve të Betlehemit. Ungjilli thotë se ata, pasi e morën kumtin e engjëllit, “u vunë për udhë pa vonesë” (Lk 2,16). Kjo është shenja për të rizbuluar shpresën e humbur, për ta përtërirë brenda nesh, për ta mbjellë në shkretirat e kohës dhe të botës sonë: pa vonesë. Mos vononi, mos e ngadalësoni hapin, por tërhiquni nga lajmi i mirë.

Pa vonesë, të shkojmë e të shohim Zotin që lindi për ne, me një zemër të lehtë e vigjilente, gati për t’u takuar, për të qenë në gjendje ta shndërrojmë shpresën në situatat e jetës sonë. Sepse shpresa e krishterë nuk është fund i lum, për t’u pritur pasivisht: është premtimi i Zotit për t’u mirëpritur këtu dhe tani, në këtë tokë që vuan e rënkon. Prandaj na kërkon të mos hiqemi zvarrë, të mos merremi me zakone, të mos zvarritemi në mediokritet e nëpërtaci; na kërkon – siç do të thoshte Shën Augustini – të indinjohemi nga gjërat e gabuara dhe të marrim guximin t’i ndryshojmë; ai na kërkon të bëhemi shtegtarë, në kërkim të së vërtetës, ëndërrimtarë që nuk lodhen kurrë, gra e burra që shqetësohen nga ëndrra e Zotit, ëndrra e një bote të re, ku mbretëron paqja dhe drejtësia.

Të mësojmë nga shembulli i barinjve: shpresa që lind në këtë natë nuk e lejon plogshtinë e përtacave, as dembelinë e atyre që nuk tunden nga rehatitë; s’e pranon maturinë e rreme të atyre, që nuk e dinë nga t’ia mbajnë nga frika se mos komprometojnë veten, e as llogaritjen e atyre që mendojnë vetëm për vete; është e papajtueshme me jetën e qetë të atyre, të cilët nuk e ngrenë zërin kundër të keqes dhe padrejtësive që u bëhen më të varfërve. Përkundrazi, shpresa e krishterë, ndërsa na fton të presim me durim Mbretërinë që lulëzon dhe rritet, kërkon prej nesh guximin ta përshpejtojmë këtë premtim sot, nëpërmjet përgjegjësisë dhe dhembshurisë sonë.

Nga që shihte sesa shpejt rehatohemi në këtë botë, duke iu përshtatur mendësisë së saj, një prift, shkrimtar i mirë, në Krishtlindjet e Shenjta u lut kështu: “O Zot, po të kërkoj pak mundim, pak ankth, pak pendim. Në Krishtlindje do të doja të isha i pakënaqur. I lum, por edhe i pakënaqur. I kënaqur me atë që bën Ti, i pakënaqur me mungesën e përgjigjeve të mia. Të lutem, na e zhduk paqen e rreme e zëvendësoje me një tufë gjembash “grazhdin” tonë, gjithmonë plot e përplot. Vendos në zemrat tona dëshirën për diçka tjetër” (A. Pronazato, Nëntshja e Krishtlindjes).

Shpresa e krishterë është pikërisht “diçka tjetër”, që na kërkon të lëvizim “pa vonesë”. Ne, dishepujve të Zotit, na kërkohet ta rizbulojmë në Të shpresën tonë më të madhe dhe ta sjellim më pas pa vonesë, si shtegtarët e dritës, në errësirën e botës.

Vëllezër e motra, ky është Jubileu, kjo është koha e shpresës! Na fton të rizbulojmë gëzimin e takimit me Zotin, na thërret për përtëritje shpirtërore dhe na ngarkon ta shndërrojmë botën, në mënyrë që kjo të bëhet vërtet kohë jubilare: të bëhet për Tokën tonë mëmë, të shpërfytyruar nga logjika e fitimit; të bëhet e tillë për vendet më të varfra, të rënduara nga borxhet e padrejta; të bëhet për të gjithë ata që janë robër të skllavërive të vjetra dhe të reja.

Për ne, të gjithë, dhurata dhe angazhimi është ta sjellim shpresën, atje ku humbi: atje ku jeta është e plagosur, në pritjet e tradhtuara, në ëndrrat e thyera, në dështimet që të plasin zemrën; në lodhjen e atyre që nuk mund të durojnë më, në vetminë e hidhur të atyre që ndihen të mundur, në vuajtjen që gërmon në shpirt; në ditët e gjata dhe boshe të të burgosurve, në dhomat e ngushta e të ftohta të të varfërve, në viset e dhunuara nga lufta e nga dhuna.

Jubileu hapet që të gjithëve t’u dhurohet shpresa e Ungjillit, shpresa e dashurisë, shpresa e faljes.

E duke e parë skenën e Shpellës së Betlehemit, butësinë e Zotit që duket në fytyrën e Krishtit Fëmijë, e pyesim veten: “A është kjo pritje edhe në zemrat tona? A është kjo shpresë në zemrat tona? […] Duke kundruar bukurinë e Zotit, që e mposht mosbesimin dhe frikën tonë, sodisim edhe madhështinë e shpresës që na pret. […] Ky vizion shprese e ndriçoftë shtegtimin tonë çdo ditë” (K. M. MARTINI, Homelia e Krishtlindjeve, 1980).

Motër, vëlla, në këtë natë hapet për ty “dera e shenjtë” e zemrës së Zotit Jezus, Zotit me ne, për ty, për ne, për çdo burrë dhe për çdo grua. Dhe me Të lulëzon gëzimi, me Të ndryshon jeta, tek Ai shpresa nuk zhgënjehet./Vaticano news

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu