Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”.
Në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, Rama u shpreh se “brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet”.
Duke iu referuar zgjedhjeve të 11 majit 2025, Kryeministri siguroi se, pavarësisht se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik.
“Ndërsa i qasemi një viti të ri zgjedhor, jam i sigurt që pyetjet për zgjedhjet e përgjithshme që po vijnë, do të zënë shpejt vend në shkresat e raportet tuaja. Besoj, kam një ide mjaft të mirë se kush do të dalë fitues, por, përtej shakave, mund t’ju siguroj se, pavarësisht se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik, të nxisin arritjen e objektivit historik për t’u bërë anëtarë të mirë e krenarë të familjes së bashkuar evropiane, të mbështetin liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë”, theksoi kryeministri.
Rama tha se “këto janë zotime të panegociueshme që shkojnë përtej moshës, gjinisë, krahinës apo bindjes politike të shqiptarëve”.
“Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet”, theksoi Rama.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria kremton aleancën dhe miqësinë e fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, Rama uroi që “viti i ri, i cili vjen pas fushatës më të gjatë e më të nxehtë në historinë e tyre të jashtëzakonshme të betejave demokratike dhe me një President të ri në Shtëpinë e Bardhë, të sjellë mundësi të reja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona.
Po ashtu, kryeministri tha se “duam të jemi miq të mirë e besnikë, me të gjithë të tjerët rreth kësaj tryeze, të cilët jetojnë, punojnë e rrisin mirëqenien matanë kufijve të Europës demokratike”.
“Si për shembull vendet vëllazërore të Gjirit, sistemi politik i të cilave është ndryshe nga i yni, por me të cilat kemi një lidhje të fortë dhe shpresoj e lutem që të bëhet edhe më e fortë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi po ashtu se do të donte që “karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh sonte, por mungesa e përfaqësuesit të saj nuk ishte zgjedhja jonë”.
“Ishte zgjedhja e rëndë e vendit të tij, për të dalë nga radhët e paqedashësve me një agresion ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë kundër Ukrainës. Ky akt tragjik në pragun e Europës demokratike ka shkaktuar vuajtje të patregueshme, humbje jetësh të panumërta dhe zgjerim shkatërrimesh. Ukraina dhe populli i saj trim meritojnë admirimin tonë, solidaritetin tonë dhe mbështetjen tonë të patundur. Sjelltë viti i ri paqe, një paqe të drejtë, për Ukrainën dhe popullin e saj”, uroi kryeministri./atsh