Nga Blerina Gjoka
Më 29 nëntor, një ngarkesë me mandarina të prodhuara në Shqipëri u ndalua në Kroaci pasi analizat treguan përmbajtje të Chlorpyrifos – një pesticid i ndaluar nga Bashkimi Europian që në vitin 2020, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e produkteve shqiptare.

yacht hotel sarande

Rasti u bë i njohur nga RASFF – Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin, një rrjet që lehtëson shkëmbimin e shpejtë të informacionit mes vendeve anëtare të BE-së për çështje që lidhen me sigurinë ushqimore.

Ky nuk ishte një rast i izoluar i ndalimit të ngarkesave me mandarina nga Shqipëria, pasi RASFF raporton dhe për 3 ndalesa të tjera deri më 20 dhjetor.

Por, mandarina nuk është produkti i vetëm me probleme të ngarkesës së pesticideve.

Sipas të dhënave të raportuara nga sistemi RASFF në katër vitet e fundit, nga 22 shtator 2020 deri më 20 dhjetor 2024, janë regjistruar një numër rastesh të konsiderueshme që lidhen me produkte ushqimore me origjinë nga Shiqpëria, veçanërisht në kategorinë e frutave dhe perimeve, të cilat përmbajnë substanca të rrezikshme. Rasti më i zakonshëm përfshin praninë e substancave të palejuara, të tilla si pesticidet Klorpirifos, fosmet dhe formetanat.

Rreth 43.9% e rasteve totale të raportuara në databazën e RASFF lidhen me kategorinë e frutave dhe perimeve, duke treguar se kjo kategori është ndër më të prekurat nga problemet e sigurisë ushqimore. Nga këto, janë regjistruar 5 raste specifike që përfshijnë mandarina (clementine), të cilat kryesisht lidhen me praninë e substancave të palejuara si Klorpirifos. Përveç mandarinave, ka 24 raste të tjera që përfshijnë fruta të ndryshme, duke përfshirë raporte për produkte të tjera problematike në këtë kategori.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural reagoi të hënën për rastin e mandarinave, por sipas saj bëhet fjalë vetëm për një pjesë të vogël të prodhimit që është konstatuar me probleme.

“Për vitin 2024, mbi 85% e prodhimit të mandarinave shqiptare është vjelë dhe është shitur në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar dhe në asnjë rast nga të gjitha kontrollet dhe analizat e kryera nuk kanë rezultuar me mbetje të pesticideve,” deklaroi Ministria në një njoftim të shpërndarë të hënën.

Sipas ministrisë, nga 924 kamionë me mandarina që janë eksportuar në tregun europian e mbarëbotëror, vetëm 3 ngarkesa janë konstatuar me parregullsi për mbetje dhe janë asgjësuar.

Ministria po ashtu njofton se ka kryer inspektime, ka vendosur gjoba si dhe ka kryer kallëzim penal për përgjegjësit.

Por ekspertët e fushës ngrenë shqetësimin për mosreagim në kohë dhe neglizhencë në monitorimin e produkteve vendase për të parandaluar përdorimin e këtyre pesticideve që futen kontrabandë në territorin shqiptar.

“Jemi përballë situatës së kontrabandës së medikamenteve për mbrotjen e bimëve dhe kjo e bën alarmante,” i tha BIRN-it Ervin Resuli, president i Urdhrit të Mjekut Veterinar, i cili shton se “po flasim për një preparat me efekte kancerogjene, i ndaluar në BE, i cili ligjërisht është i ndaluar dhe në vendin tonë”.

Sipas Resulit, Ministria ka për detyrë të mbrojë konsumatorin shqiptar dhe të sigurojë standardet e sigurisë ushqimore dhe jo të mjaftohet me numrin e vogël të ngarkesave të ndaluara.

“Kjo s’do të thotë asgjë, sepse jo çdo ngarkesë analizohet gjatë eksportit, pasi kamionët që shkojnë nga Shqipëria pajisen me certifikatë higjeno-sanitare nga autoritetet vendase,” shton ai.

Në hirearkinë e përgjegjësive, sipas Resulit, është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), që duhet të bëjë monitorimin deri në momentin e vjeljes dhe më pas është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) që përgjigjet pasi hidhet produkti në treg.

Po ashtu, ai thekson se nuk rasti i mandarinës nuk është i njëjtë me produktet e tjera të ndaluara për ngarkesë të lartë pesticidesh. “Po flasim për një pesticid kontrabandë, jo për rastet kur fermerët nuk kanë zbatuar afatet për hedhjen në treg të produktit dhe ai ka rezultuar me ngarkesë të lartë medikamentesh të cilat janë të lejuara,” thekson ai.

Ai bën apel që Ministria e Bujqësisë të jetë transparente me publikun dhe të marrë masat në kohë duke garantuar që produkte të tilla të mos përfundojnë në tryezat e qytetarëve shqiptarë.

Edhe Granit Sokolaj nga organizata “Alert” vendos gishtin e përgjegjësisë tek agjencitë shtetërore, AKU dhe AKVMB si përgjegjëse për monitorimin e prodhimit në fermë.

“Duhet të monitorojnë prodhimin dhe jo të reagojnë pasi ngarkesat të jenë ndaluar në kufirin e BE-së, ndërsa fermët nuk duhet të përdorin pesticide të ndaluara apo të përdorin brenda normave pesticidet e lejuara,” tha Sokolaj për BIRN.

Sokolaj shton se pavarësisht se u ngrit një alarm publik me mandarinat, ato nuk janë produkti i vetëm me probleme që është ndaluar të ekspertohet në vendet e BE-së dhe se problematika ka ekzistuar prej vitesh.

Opozita gjithashtu akuzoi qeverinë për masa të vonuara dhe mosgarantim të sigurisë ushqimore për qytetarët.

“Kjo ndodh sepse fermerin tonë askush nuk e asiston, nuk e monitoron, nuk e ndihmon. AKU, Ministria e Bujqësisë dhe qeveria nuk bëjnë detyrën. Plehrat kimike dhe pesticidet qe ju ofrohen fermerëve nuk kontrollohen për përmbajtjen reale te tyre,” tha në një deklaratë për mediat dy ditë më parë anëtari i kryesisë së PD, Grigels Muçollari./reporter.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu