Shumë thesare kulturore të Sirisë u shkatërruan në një luftë civile brutale më shumë se 14-vjeçare. Ekspertët po punojnë tani për të mbrojtur atë që ka mbetur.

yacht hotel sarande

Bota u trondit, kur u përhapën në vitin 2015 imazhet e tempujve dhe kullave të shkatërruara 2000-vjeçare të qytetit antik të Palmirës. Milicët e të ashtuquajturit Shteti Islamik pushtuan atëherë një pjesë të Sirisë dhe hodhën në erë vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke përfshirë Palmirën, por edhe ato të qytetit antik të Alepos si dhe kështjellën e tij, një nga kështjellat më të vjetra në botë.

Pas rënies së Bashar Al-Assadit dhe fundit të diktaturës më shumë se 50-vjeçare të dinastisë Asad, tani ka shpresë se kujtesa kulturore e Sirisë mund të mbrohet apo edhe të rikthehet pjesërisht. Organizata joqeveritare me bazë në Gjermani “World Heritage Watch” i ka bërë thirrje qeverisë së përkohshme të udhëhequr nga Haiat Tahrir al-Sham (HTS) të sigurojë që “trashëgimia kulturore e të gjitha grupeve fetare dhe etnike dhe të gjitha epokave të historisë së gjatë të Sirisë të mbrohet dhe të ruhet”. Por mund të funksionojë kjo kur fati politik i Sirisë është ende plotësisht i paqartë?

Arkeologët në Siri dhe ekspertët jashtë vendit po përpiqen të kuptojnë fillimisht shkallën e dëmtimit të trashëgimisë kulturore. Pasi konflikti i armatosur ka zgjatur për shumë vite. Në fund të fundit, iniciativat si Projekti i Arkivit të Trashëgimisë Siriane me qendër në Berlin, i cili u themelua pjesërisht nga refugjatët sirianë, kanë mbledhur dhe dixhitalizuar qindra mijëra foto, filma dhe informata. Ato kanë dokumentuar thesaret kulturore dhe natyrore të Sirisë para dhe pas luftës, informacione të cilat mund të jenë të dobishme për rindërtimin. Megjithatë, parakusht është që paqja të kthehet. Për momentin, në mes të kaosit aktual, situata është ende konfuze – dhe për këtë arsye ende e paqartë në çfarë gjendje janë asetet kulturore.

Po ashtu ka pak dokumentacion se sa antikitete janë vjedhur nga muzetë sirianë, thotë studiuesja e refugjatëve libanezo-siriane dhe e të drejtave të njeriut, Sherine Al Shallah nga Universiteti i Uellsit të Ri Jugor (New South Wales) në Australi. Dëme të mëdha pësoi edhe “trashëgimia kulturore jomateriale” në Siri, por kjo është edhe më e vështirë për t’u llogaritur. Trashëgimia kulturore jomateriale përfshin traditat gojore, artet interpretuese si vallëzimi, teatri dhe muzika, si dhe traditat sociale si ritualet dhe festivalet dhe mjeshtëritë tradicionale. Sherine Al Shallah përmend zanatin e gurgdhendësve, i cili rrezikon të humbasë për shkak të shumë sirianëve të zhvendosur.

Nga imazhet satelitore mund të vlerësohet përafërsisht lloji dhe shkalla e dëmit, shprehet për DW studiuesi i trashëgimisë kulturore dhe eksperti i Sirisë në Universitetin e Amsterdamit dhe për organizatën kulturore botërore UNESCO, Nour Munavar. Kjo vlen edhe për plaçkitjet, gërmimet ilegale dhe tregtinë e mallrave kulturore.

Por një gjë është e qartë: “Kohëzgjatja dhe kompleksiteti i konfliktit në Siri e bëjnë pothuajse të pamundur një vlerësim të plotë të humbjeve të trashëgimisë kulturore të Sirisë”, shpjegon Lucas Lixinski, profesor i së drejtës globale dhe publike në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor. “Informacioni është i paplotë. Shpesh varet nga njerëzit që rrezikojnë jetën e tyre për të arritur në vendet kulturore,” tha ai. Dhe eksperti thekson, se ka pasur shumë gërmime të paligjshme të objekteve antike, dhe janë hapur lokacione arkeologjike pa asnjë dokumentacion. Përmes shitjes në tregun e zi kjo ndihmoi në financimin e luftës.

“Vendi tani duket se është në rrugën drejt një stabiliteti më të madh,” thekson Lixinski. Megjithatë, kërkimi për objekte të grabitura mund të zgjasë “me vite”.

Procesi i restaurimit duhet të mbështetet kryesisht nga shoqëria civile siriane – “në përputhje me identitetet e tyre përkatëse”, thekon studiuesja e refugjatëve, Sherine Al Shallah. “Trashëgimia kulturore është kontribut i popujve të caktuar në botë, dhe këta popuj janë më të përshtatshmit për t’u kujdesur për të. Dhe është e drejta e tyre për të hyrë në të, për ta shijuar dhe për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm,” tha Sherine Al Shallah.

Ky identitet ka dalë nga qytetërime të panumërta, nga arkitektura 2000-vjeçare greko-romake e Palmirës deri te vendi më i hershëm i adhurimit i identifikuar në botë në Dura-Europos, te kalatë dhe xhamitë unike të shekullit të 13-të dhe karvansarajet e shekullit të 18-të. “I takon popullit sirian të vendosë se kush dëshiron të jetë,” shprehet Lucas Lixinski.

Megjithatë nuk ka ende asnjë organizatë të shoqërisë civile në vend që kujdeset për trashëgiminë kulturore, thekson eksperti për Sirinë, Nour Munavar. Për momentin, organizatat e huaja joqeveritare dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore do të duhet të ndihmojnë UNESCO-n me dokumentimin, ruajtjen dhe rindërtimin./DW/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu