Kryetari i PD-së, Sali Berisha përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se data 28 nëntor 1944 është jo vetëm dita e Pavarësisë, por edhe si dita e Çlirimit të Shqipërisë.
Postimi i Berishës:
28 nëntori 1944, Shqipëria – nga një pushtim i vjetër në një pushtim të ri
Data 28 nëntor 1944 është jo vetëm dita e Pavarësisë, por mbahet edhe si dita e Çlirimit të Shqipërisë. Megjithëse, edhe sot, pasardhësit e diktatorit stalinist vazhdojnë të kremtojnë ditën e Çlirimit sipas ritit enveristo-serb me datën 29 nëntor, pra me datën e falsifikuar nga Enver Hoxha me urdhër të Beogradit, madje edhe pasi festoi dy vitet e para këtë festë më datën 28 nëntor.
Rëndësia e këtij qëndrimi qëndron në faktin se Enver Hoxha falsifikoi edhe këtë datë, për ta njësuar këtë festë, jo me ditën e Çlirimit, por me festën kombëtare të Federatës së Jugosllavisë, me ditën e shpalljes së saj në Jajce, më 29 nëntor të vitit 1943.
Pra, ai falsifikoi datën e Çlirimit në mënyrë që, pas bashkimit të Shqipërisë si republika e 7-të me Federatën e Jugosllavisë, të festonin edhe shqiptarët më 29 nëntor, së bashku me republikat e tjera, por natyrisht jo Jajcën, sepse aty nuk kishin qenë, por Çlirimin e vendit.
Mirëpo, mjerisht, ende sot e kësaj dite, ka shqipfolës që, në shembullin e Edi Ramës, argatit të Beogradit, apo Pashiqit të Tiranës, vazhdojnë të kenë si Mekë Beogradin. Në këtë shënim, unë do të ndalem në një aspekt tjetër themelor të kësaj date, në të vërtetën më të pamohueshme historike, se 28 nëntori i vitit 1944 shënoi jo vetëm çlirimin nga një pushtim i huaj, por edhe zëvendësimin e atij pushtimi me një pushtim të dyfishtë, një tjetër pushtim të huaj dhe një pushtim të brendshëm, si kurrë ndonjëherë më parë. Kjo, pasi në fronin e pushtetit në Tiranë u ul një klikë shqiptaro-serbe, me projekt kryesor zhdukjen e shtetit të pavarur të shqiptarëve.
Sot, historianë dhe studiues, vendas dhe të huaj, me botimet e tyre serioze dhe të shumta, të bazuara në mijëra dokumente të arkivave të vendit, të atyre, të Aleatëve të luftës dhe vendeve të tjera, kanë rishkruar historinë në dritën e të vërtetave historike të pamohueshme.
Ata, me veprat e tyre tejet të rëndësishme, kanë shkrirë si rrezet e diellit brymën, malin e lartë të falsifikimeve të historiografisë hoxhiste. Prandaj, sot, bazuar në të vërtetat historike shkencore, është koha për reflektim të thellë nga çdo shqiptar, kudo jeton, për historinë tonë në tërësi, si dhe në rastin konkret, edhe rreth kësaj date.
Studimet, botimet themelore të këtij çerek shekulli, të bazuara në mijëra dokumente dhe raporte të kohës, kanë provuar në mënyrë shterruese se J. B. Tito dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë, për interesa të serbomadhisë, themeluan me dy qëllime kryesore, me të dërguarit e tyre, në nëntor të vitit 1941, në Tiranë, Partinë Komuniste të Shqipërisë, si degë të Partisë Komuniste të Serbisë, të udhëhequr nga Popoviç-Mugosha.
Qëllimi i parë dhe më kryesor ishte krijimi i “Kalit të Trojës”, pra i një partie dhe lëvizjeje jugosllave në Tiranë, të drejtuar, urdhëruar dhe përdorur prej tyre kundër çështjes shqiptare. Qëllimi i dytë ishte që, në zbatim të porosive të Kominternit pas sulmit nazist ndaj Bashkimit Sovjetik, kjo forcë dhe kjo lëvizje shqiptare, e udhëhequr nga serbët, të mobilizonte shqiptarët në luftë kundër pushtuesve.
Në këtë kontekst, komunistët serbo-malazez shkruan programin e kësaj partie pa iu referuar asnjëherë Kosovës dhe çështjes shqiptare, vunë në krye të saj Miladin Popoviçin dhe emëruan rreth tij, Enver Hoxhën dhe vasalët e tjerë.
Historinë e dashurisë e bëri këngë, Semi Jaupaj: Mund ta duash dikë e të ndahesh
Pra, përfaqësuesit serbo-malazez të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ), siç pohon edhe vetë Tito, themeluan, udhëhoqën dhe urdhëruan Partinë Komuniste të Shqipërisë (PKSH) dhe njësitë e saj partizane gjatë gjithë luftës si parti dhe lëvizje jugosllave, dhe më konkretisht serbe.
PKJ, me Kalin e saj të Trojës, PKSH arriti me sukses të bllokojë bashkimin e shqiptarëve në Shqipëri dhe trojet tjera, pra bashkimin e mbarë kombit shqiptar në luftën kundër pushtuesve.
Ata, me ndihmën direkte të PKSH dhe Enver Hoxhës, dhe shqiptarëve me origjinë nga Kosova, si Fadil Hoxha, etj., që u dërguan aty me mision, arritën të vendosin Kosovën nën vartësinë e PKJ, pavarësisht se Mbretëria e sllavëve të jugut, as dhe federata e tyre, nuk ekzistonin. Tito dhe PKJ, nëpërmjet lëvizjes së tyre jugosllave që e themeluan në Tiranë, realizuan sa më sipër, duke përjashtuar tërësisht çështjen kombëtare nga programi i PKSH.
Po kështu, ata imponuan anulimin e menjëhershëm të Marrëveshjes së Mukjes, injorimin dhe asgjësimin e Marrëveshjes së Bujanit dhe urdhëruan dërgimin e brigadave dhe divizioneve partizane të Shqipërisë në Kosovë me pretekstin e çlirimit nga gjermanët, por në fakt, si pararojë e pushtimit të saj nga divizionet serbo-malazeze dhe vendosjes së saj në administrim ushtarak nga Tito.
Krahas këtyre, historianët dhe studiuesit kanë faktuar me dokumente të pakundërshtueshme se: udhëheqësit jugosllavë dhe vegla e tyre, Enver Hoxha, pas shtatorit 1943, luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve e degraduan në një luftë kryesisht vëllavrasëse civile dhe se PKSH, siç pranuan, unanimisht, vetë Enver Hoxha dhe udhëheqja tjetër e kësaj partie në Plenumin e dytë të Beratit, zbatoi gjatë luftës një vijë politike terroriste, pra veproi si një organizatë terroriste, duke kryer në dhjetëra e qindra raste akte të mirëfillta terroriste.
Studimet e dekadave të fundit të bazuara në dokumenta të panumerta kanë provuar se serbet dhe Enver Hoxha dhe vasalët e tyre të tjerë shqiptarë ne krye të ushtrise partizane të Shqipërisë, kryen gjatë luftës kundër pushtuesve, genocid dhe krime të renda kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve.
Kjo klikë terroriste dhunoi me qindra e qindra raste konventat ndërkombëtare të Gjenevës, Hagës, për mbrojtjen e popullatës civile, robërve të luftës, të sëmurëve dhe të plagosurve të luftës etj.
E vërteta të detyron, prandaj sot, është në interes të çdo shqiptari, të raportit të tij me të vërtetën historike të kombit, të shtrojë pyetjen: A u çliruam vërtet ne shqiptarët, me datën 28 nëntor 1944?