Është shënuar në Maqedoninë e Veriut, Dita e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në nderim të kësaj ditë, foli kryeministri Hristian Mickovski. Sipas tij, nevojat reale për arsim e ekonomi i kapërcejnë dallimet mes popujve.
“Dita e Kongresit të Alfabetit Shqip, e gjen Maqedoninë e Veriut në një atmosferë debati të nxehtë, i nxitur qëllimisht për të prodhuar kriza artificiale”.
Kështu tha zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në shënimin e 116-vjetori të Kongresit të Alfabetit.
“Sivjet festimet për ditën e Alfabetit na gjejnë në mes të debatit të nxehur lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në vendin tonë. Qëllimi i nxitur është për të defokusuar opinionin publik dhe për të provokuar kriza artificiale aty ku nuk ka. Ky debat është duke shkaktuar tensione të panevojshme në shoqëri besa edhe në rajon”, tha Mexhiti.
Për rëndësinë e Kongresit të Alfabetit Shqip, ceremonisë ju bashkua kryeministri, Hristian Mickovski.
“Dita e Alfabetit Shqip është një kujtim sesi shkrim-leximi dhe edukimi mund të jenë ura lidhëse mes njerëzve. Një fokus i qartë në prioritetet, në nevojat reale për arsim, ekonomi dhe progres na ndihmon të kapërcejmë dallimet, të ndajmë vlerat tona dhe të ndërtojmë një komunitet më të fortë e më të bashkuar”, tha Mickovski.
Mesazhe urimi për nder të kësaj date të rëndësishme për kombin shqiptar, kanë dërguar edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut,Gordana Siljanovska, kryrtari i Kuvendit, Afrim Gashi dhe kryetarët e të gjitha partive shqiptare. 116 vjet më parë Kongresi la mënjanë alfabetin e Stambollit dhe vendosi që gjuha shqipe të shkruhet vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, të cilat përdoren edhe sot./RTK