Komunikim me median i Kryeministrit Rama, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave
Kryeministri Edi Rama komunikoi sot në një dalje për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, nisjen e menjëhershme të një këshillimi të gjerë me komunitetet e prindërve në të gjitha shkollat e vendit dhe nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit, lidhur më bllokimin e plotë ose jo të TikTok-ut, Snapchatit ose të dyjave bashkë.
Ky vendim merr shkas nga ngjarja tragjike e vrasjes së adoleshentit 14 vjeçar nga bashkëmoshatari i tij, dy ditë më parë.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Prej tre ditësh, i madh dhe i vogël është tronditur nga vrasja makabër e një nxënësi 14 vjeçar me thikë nga një adoleshent tjetër.
E gjithë dinamika e tragjedisë nxjerr në pah kërcënimin permanent me të cilin jetojnë të gjithë familjet që rrisnin fëmijë në botën e sotme ku rrjetet sociale dhe posaçërisht TikTok-u apo Snapchat-i thithin përditë në labirintet e tyre fëmijët tanë qysh në moshat më të vogla.
Autoritetit i prindërve dhe i mësuesve, si dhe të gjitha përpjekjet tona në familje apo në shkollë për edukimin e fëmijëve sfidohen orë e çast nga bota paralele e këtyre rrjeteve ku nuk ka asnjë filtër, asnjë mbrojtje, asnjë stimul pozitiv në mbështetje të këtyre përpjekjeve dhe ku jo vetëm edukimit, por deri dhe shëndeti mendor i më të vegjëlve, i adoleshentëve vihen seriozisht në pikëpyetje.
Këto janë të vërteta të thjeshta me të cilat nuk është e vështirë të biem të gjithë dakord si prindër apo si qytetar dëshmitar të shoqërisë të kohës të botës së sotme, ku garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive tona, por nuk janë po kaq të thjeshta përgjigjet e duhura në këto kushte, kaq sfiduese kur shumë shtete po përpiqen të vendosin filtra mbrojtës, por ende pa asnjë rezultat domethënës.
Ndërkohë çdo prind është dëshmitar i faktit se presioni i tërheqjes së fëmijëve ndaj ekraneve të smartphone-ve bëhet gjithmonë e më i papërballueshëm edhe brenda vetë mureve të shtëpisë.
Ne si qeveri jemi angazhuar prej kohësh në hulumtimin e kësaj problematike duke ndjekur hap pas hapi se çfarë bëjnë vendet e tjera por edhe në kërkimin e zgjidhjeve të mundshme për ta ulur këtë presion gjithnjë e më të frikshëm.
Faktikisht janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme që nga Australia ku aktualisht po tentohet ndalimi i aksesit në rrjetet sociale të të gjithë fëmijëve deri në 16 vjeç, deri te Franca e cila po diskuton vendosjen si kusht të aprovimit të prindërve për hapjen e një llogarie online nën 15 vjeç apo Spanja ku fillimisht u vendos që fëmijët deri 14 vjeç të mos lejohen të hapin llogari online dhe së fundmi ku kufi është rritur në 16 vjeç. Po përtej këtyre përpjekjeve dhe debateve lidhur me këto nisma, problemi ende i hapur mbetet mungesa e një sistemi të zbatimit të tyre si rezultat i vështirësisë në aspektin teknik që lidhet me disa faktorë të cilët nuk është vendi t’i shtjellojmë këtu sot.
Tani, dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e deritanishme në Europë apo përtej Europës, mësojmë se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët, ndërkohë që stimujt e dhunës dhe rastet e bullizmit në botën online të fëmijëve dhe të adoleshentëve, vetëm rriten apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të Tik-Tok-ut e pse jo, të SnapChat-it në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kemi vendosur që këtë dilemë ta hedhim për një diskutim të gjerë me të gjithë komunitetet e prindërve ku do të angazhohen të gjitha shkollat, nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh, por e përsëris, kompleks në përmbajtjen dhe në zgjidhjen e vet.
Nga ana tjetër siç e kam lajmëruar në vigjilje të vitit shkollor kur së bashku me ministrat e Arsimit dhe të Rendit kemi adresuar temën e sigurisë në shkollë, jemi duke punuar intensivisht për projektin e ngritjes së një sistemi të ri digjital të kontrollit të shkollave dhe të çdo klase në kuadrin e sistemit të ri kombëtar të monitorimit me kamera inteligjente të rrugëve kombëtare dhe të rrugëve të qyteteve tona.
Po punojmë prej më shumë se një viti për këtë projekt me qeverinë e Emirateve të Bashkuara ku ky sistem është realizuar me një sukses të jashtëzakonshëm në aspektin e rritjes së sigurisë në përgjithësi dhe me rezultate absolutisht mbresëlënës në rritjen e sigurisë dhe të uljes së bullizmit nëpër shkolla.
Kemi dakordësuar dhe volumin e financimit me mbështetjen e fondit të Abu Dhabit, dhe së shpejti do ta prezantojmë publikisht projektin dhe do të nisim punën për zbatimin e tij, të cilën synojmë ta përmbyllim plotësisht, hap pas hapi në harkun e 20 muajve, ndërkohë që hap pas hapi shkollat duhet të fillojnë të pajisen me këtë sistem.
Prej disa vitesh kemi ndaluar hyrjen e celularëve nëpër shkolla, por është koha për të rishikuar po ashtu sanksionet lidhur me shkeljet e këtij rregulli të përgjithshëm, ndërkohë që vendosja e punonjësve të sigurisë dhe psikologëve në shkollat tona kanë sjellë një sërë rezultate pozitive të cilat padyshim do të thellohen shumë ndjeshëm me futjen e syve të teknologjisë në mbikëqyrjen e perimetrit të çdo shkollë dhe madje të çdo klase ku praktikisht prindërit do mund të shohin gjithçka ndodh me fëmijët e tyre dhe me procesin e mësimdhënies sa herë do duan të verifikojnë ecurinë apo problematikat e lidhura me fëmijët e tyre.
Në mbyllje, dua të nënvizoj se tragjedia e nxënësit 14 vjeçar, e familjes së tij dhe e komunitetit të shkollës Fan Noli është shumë e madhe për tu futur në perimetrin shumë të ngushtë të sherrit të një pseudo elite politike dhe mediatike e cila përditë, përnatë devijon çdo interes kombëtar e publik, çdo problem apo ngjarje dhe deri çdo fatkeqësi e tragjedi në kanalin e llumit të interesave të veta për pushtet e për biznes me ndjenjat dhe me hallet e popullit.
Kjo tragjedi duhet të na bashkojë si prindër dhe si qytetarë për të kuptuar se gjithsecili prej nesh duhet të marrë përsipër më shumë në pjesën e vetë të frontit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili nis brenda mureve të shtëpisë, vazhdon brenda mureve të shkollës dhe shtrihet kudo ku zhvillohet jeta e fëmijëve tan, përfshirë dhe ekranet e televizorëve ku shumica dërrmuese e atyre që derdhin lot krokodili për Shqipërinë dhe për popullin janë në fakt lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës dhe herë pas here dhe nxitës të hapur të dhunës duke përfshirë dhe vet sallën e Parlamentit të Shqipërisë që është një shkollë e hapur dhune dhe nxitjeje e gjuhës së dhunës.
I siguroj të gjithë prindërit se personalisht unë jam shumë i vetëdijshëm, plotësisht i angazhuar që në pjesën time të frontit së bashku me kolegët e qeverisë të bëjmë së bashku me ta të gjitha gjërat e mundura për të lehtësuar fëmijët tanë nga presioni i hatashëm i rrjeteve sociale dhe për të rritur në tërësi cilësinë e sigurisë së tyre.
Pres me padurim rezultatet e këshillimit të gjerë me komunitetet e prindërve, lidhur me qasjen që duhet të zgjidhim së bashku ndaj Tik-Tok-ut, SnapChat-it apo të dyve bashkë sepse nga të gjitha hulumtimet tona, janë dy burimet më pjellore të çoroditjes, të nxitjes së dhunës dhe të akteve të bullizmit deri dhe pastaj në tragjedi si kjo e fundit nga e cila ne duhet me patjetër të gjithë së bashku të dalim si shoqëri dhe si shtet me një përgjigje sa më efektive.
Faleminderit!