Raportimet e platformës për internet të sigurt për fëmijë “iSigurt.al” në Shqipëri kanë evidentuar se gjatë vitit 2024 forma më e raportuar e dhunës në hapësirën online ndaj fëmijëve është ajo e shantazheve, përndjekjes dhe kërcënimeve ndaj tyre.
Platforma “iSigurt.al” për internet të sigurt për fëmijë në Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve CRCA dhe Linjën Kombëtare të Këshillimit Alo 116 prezantuan të enjten në kuadër të nismës NetSmartKids Albania disa nga gjetjet kryesore lidhur me situatën e dhunës në hapësirën online ndaj fëmijëve në vendin tonë.
Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt për Fëmijë iu referua monitorimeve për periudhën Janar-Tetor 2024 lidhur me rastet e dhunës të raportuara nga vetë fëmijët, adoleshentët, apo prindërit e kujdestarët e tyre.
“Ndryshe nga vitet e mëparshme, gjatë vitit 2024 forma kryesore e dhunës e raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët ka qenë ajo e ‘Përndjekjes, shantazhet dhe kërcënimet’”, tha Borjana Dine, psikologe dhe drejtuese e qendrës dhe platformës “iSigurt.al”.
Platforma “iSigurt.al” merret që prej vitit 2015 me mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë e dhunës online, si edhe me trajtimin e këtyre rasteve të dhunës, deri në ndjekjen dhe zgjidhjen e tyre.
Vetëm gjatë vitit 2024, në platformën “iSigurt.al” kanë mbërritur 330 raportime, të cilat specifikisht lidhen me shkelje në 1567 linqe URL në hapësirën kibernetike.
“Platforma Tik-Tok kryeson numrin e linqeve me përmbajtje të dëmshme apo të dhunshme, me 1175 linqe, ndjekur nga Telegram me 157 linqe, Instagrami me 78 linqe, dhe Facebook me 65 linqe”, u shpreh psikologia Dine mbi gjetjet e vitit 2024.
Dine shpjegoi se raportimet më të shumta vijnë kryesisht nga qyteti i Tiranës (48%), ndjekur nga Durrësi me 10% dhe Kukësi me 7% te raportimeve, teksa shtoi se vajzat bëjnë raportimet më të shumta.
Nga ana tjetër, edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale pranuan se dhuna ndaj fëmijëve në hapësirën kibernetike është një fenomen shqetësues në rritje që duhet luftuar.
“Na rezulton se 14% e 1000 fëmijëve të intervistuar janë ndeshur me situate të pakëndshme në internet, teksa 3 në 10 fëmijë janë ndeshur drejtpërdrejt me dhunë në internet”, tha Denada Seferi, zv/ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./BIRN