Nga Ervin Resuli
Një shembull i qartë i integritetit publik është ish-Ministri italian i Arsimit, Lorenzo Fioramonti, i cili dha dorëheqjen në vitin 2019 gjatë qeverisjes së kryeministrit Giuseppe Conte, pasi qeveria nuk i dha fondet e nevojshme për rikonstruktimin e shkollave dhe universiteteve. Ky është një standard i lartë përgjegjshmërie që tregon angazhimin për interesat publike.
Në Shqipëri, përkundrazi, ministrja e Bujqësisë pranoi një buxhet mjeran për vitin 2025, një buxhet që më shumë i shërben interesave të ngushta dhe klientelës së saj sesa nevojave të bujqësisë dhe blegtorisë. Shqipëria e vitit 2024 kërkon drejtues me integritet, që njohin rëndësinë e zhvillimit të sektorëve strategjikë dhe që përfundojnë marrëveshje me qëllimin e vetëm për të përmirësuar jetesën e qytetarëve.
“Është bujqësia, o idiot.” Ky slogan, frymëzuar nga fraza e famshme “It’s the economy, stupid”, duhet të jetë kujtesë për ministren e Bujqësisë dhe të gjithë klasën politike, që bujqësia është jetike. Sot, fshati po vuan nga varfëria; nuk ka investime, nuk ka vizion dhe nuk ka strategji reale për të përmirësuar situatën. Të ashtuquajturat “100 fshatra” mbeten thjesht projekte në letra për t’u bërë nder disa të privilegjuarve. Ku janë subvencionet e premtuara? Ku është ndihma për fermerët?
Politikat e Ministrisë së Bujqësisë janë përqendruar në propagandën e sukseseve të rreme në ERTV, ndërsa fshati shqiptar ka marrë tatëpjetën, dhe bujqësia shqiptare është lënë në harresë. Çmimi i naftës për traktorët e fermerëve është jashtëzakonisht i lartë, dhe ulja e rimbursimit të TVSH-së nga 20% në 0% ka goditur rëndë sektorin. Kjo është një shtysë për bujqësinë drejt humnerës.
Për 47% të popullsisë që jeton në fshat dhe që kontribuon mbi 20% të PBB-së së vendit, ky është kulmi i paaftësisë së qeverisjes. Nëse opozita e këtij vendi nuk arrin të kuptojë realitetin e dhimbshëm të fshatit dhe të ofrojë një alternativë të besueshme dhe të fuqishme për reformimin e bujqësisë, atëherë përgjumja e saj do të ketë pasoja të rënda. Mosveprimi i tyre në një moment kritik për bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare do të përkthehet në një ferr elektoral – një votë ndëshkuese nga fermerët dhe banorët e fshatit, të cilët kanë një ndjeshmëri të lartë ndaj sfidave ekonomike dhe kërkojnë një përfaqësim të drejtë dhe të sinqertë.
Nëse opozita nuk e merr këtë mundësi për të reaguar dhe për të marrë qëndrimin e duhur, do të duket mjerane përpara interesave të fshatit, një komunitet që historikisht ka votuar me ndershmëri dhe ka mbështetur ata që mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre. Fshati kërkon një platformë që të ofrojë mbështetje konkrete, të vendosë integritetin në shërbim të ekonomisë rurale dhe të nxjerrë bujqësinë nga margjinalizimi. Pa një reagim të tillë, opozita rrezikon të humbasë përgjithmonë lidhjen me këtë segment të rëndësishëm të shoqërisë dhe të zhgënjejë ata që kanë më shumë nevojë për ndryshim- shkruan Ervin Resuli, kreu i shoqatës së veterinerëve në postimin e tij në Facebook.