“Me qindra kuintal qepë ka ngelur e pashitur në qarkun e Korçës e në veçanti në fshatin Zvirinë të bashkisë së Maliqit. E gjithë kjo vjen për shkak të çmimit shumë të ulët dhe mungesës së tregut.”
Halide Hoxhallari la Italinë për t’u kthyer në juglindje e për të investuar në bujqësi, por u pendua shpejt. E gjithë sasia e qepës që ajo ka mbjellë I ka mbetur në arë, duke dëmtuar rëndë ekonominë e familjes së saj.
“Nuk e dimë ç’po ndodh, u sflititem, u kalb, fara me infeksion e as po shitet. Kilja me 18-20 lek. Vijnë e tallen. Në Tiranë shitet shtrenjtë këtu shitet lirë. U ktheva nga Italia me të tre djemtë, erdhëm këtu e hodhëm në dhe e po ikën prodhimi kështu. Fajësoj veten, përse mos kontrollonte një gjë shteti? Në këtë gjendje katastrofë. Djemtë ikën prap emigrim, njëri Itali, tjetri Greqi. Dolëm 0. Stok. Ngelem. Dy vite në Itali, 40 mijë euro të Italisë, unë e di si e shikoja djemtë me kurriz të thyer. I solla në vendin tim, po detyrohem të iki prap”,-tha fermerja Halide Hoxhallari.
Një tjetër fermere tregon se gjithë sasia e qepës që ajo ka mbjellë ka mbetur në tokë.
“Të mbjellësh 30 dylym e mos shesësh fare. Kulm. Punëtorët me 20 mijë lek, tani nuk marr me, punoj vet. E marrin me 13-15 lek. Me shume ai sesa unë. Çdo bëjmë? Po i hedhim, nuk ka, është per të ikur këtu”,-tha Burbuqe Killo, fermere.
Kryeplaku i fshatit Zvirinë tregon se vitin e kaluar një kg qepë kushtoi 100 lek ndërsa këtë vit vetëm 20 lekë.
“Kjo varet tregu, nuk tërheq. Nuk është se u rrit prodhimi, qepa nuk pati prodhim të lartë. Rendimenti nuk është i kënaqshëm. Nuk ka treg. Vjet filloi shpejt, tani nuk ka patur çmim e tërheqje në masë. Çmimi vjet filloi 80-90-100 lek ndërsa sivjet 18 lekë. Shpresa është të shitet por varet nga tregu”,-tha Robert Qeleshi, kryeplaku i fshatit Zvirinë.
Në gjithë qarkun e Korçës janë të mbjella rreth 1180 hektarë qepë, ku mbi 70% e sasisë ende është e pashitur./euronews