Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, vizitoi memorialin e Holokaustit në parkun e Liqenit Artificial. Vizita aty kishte qëllim përkujtimin dhe nderimin e viktimave, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
Presidenti Herzog shprehu mirënjohjen e tij ndaj shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Isaac Herzog: Ky përkujtim është i jashtëzakonshëm! Krah për krah, zemër për zemër, njerëz të besimeve të ndryshme, qëndruan së bashku kundër së keqes, duke refuzuar të lejojnë injorancën dhe urrejtjen të shtrembërojnë emocionet dhe besimet e tyre te qeniet njerëzore.
Vizita në memorialin e Holokaustit përmbylli axhendën e presidentit të Izraelit në Shqipëri.
Më herët u prit nga presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama.
Kreu i shtetit shqiptar Bajram Begaj u shpreh se Shqipëria “mirëpret lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve” duke përsëritur thirrjen që “ndihma humanitare të vazhdojë për të gjithë në nevojë. Ne dëshirojmë fundin e vuajtjeve të popullatës civile”, u shpreh ai.
Situata e krijuar që pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit zuri një vend qëndror në bisedimet e presidentit Herzog në Tiranë. Kreu i shtetit shqiptar Bajram Begaj u shpreh se Shqipëria “mirëpret lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve” duke përsëritur thirrjen që “ndihma humanitare të vazhdojë për të gjithë në nevojë. Ne dëshirojmë fundin e vuajtjeve të popullatës civile”, u shpreh ai.
Presidenti Herzog, vuri në duke se vendi i tij po lufton “në të njëjtën kohë, më shumë sesa një armik terrorist. Dhe në fakt hija e gjakut që lidh të gjithë agjentët e urrejtjes është Irani dhe fiksimi i tij mizor antisemit në shkatërrimin e shtetit të Izraelit”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se “Shqipëria e njeh mjaft mirë këtë vend radikal”, duke ju referuar vendimit të qeverisë shqiptare dy vjet më parë për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, të cilin e akuzoi se qëndronte pas sulmeve masive kibernetike që kishin goditur më herët sistemet e saj të teknologjisë së informacionit.Kreu i shtetit të Izraelit vlerësoi faktin se “Shqipëria, në mënyrë të palëkundur, është rreshtuar në anën e duhur të historisë” dhe se “ka treguar edhe një herë që qëndron krahë popullit izraelit”, u shpreh ai duke evokuar më pas mbështetjen që hebrenjtë gjetën në Shqipëri gjatë Luftës ë Dytë botërore. “Hebrenjtë e mbarë Europës gjetën strehë në Shqipëri gjatë Holokaustit që është një dëshmi e traditës etike të rrënjosur thellë të shqiptarëve të çdo besimi fetar dhe shpirtit të jashtëzakonshëm të popullit shqiptar”, vuri në dukje presidenti Herzog, gjatë një deklarate të përbashkët shtypi me kryeministrin Edi Rama në fund të takimit mes tyre.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një deklaratë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, se “Shqipëria është një mbështëse mjaft e madhe e armëpushimit dhe e çdo përpjekje të mundshme për të sjellë në shtëpi pengjet e për të nisur një proces të ri për të mirën e të gjithë njerëzve”.
Nga ana tjetër, Rama tha se kemi qenë, jemi e do të vazhdojmë të jemi përherë në mënyrë të palëkundur kundër çdo forme e mënyre antisemitizmi, po kështu kundër çdo lloj shprehje intolerance a paragjykimi kundër hebrenjve.
“Jemi sigurisht shumë të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku populli i Izraelit e populli i Palestinës jetojnë është absolutisht shumë e rëndë dhe diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt. Nga ana tjetër jemi mjaft të vetëdijshëm se kjo është më e lehtë të thuhet se të bëhet dhe se lufta e fitorja kundër terrorit është shumë më e vështirë se sa mund të duket nga larg”, tha Rama.
Kryeministri tha se ndërkohë që këto janë janë kohë mjaft të vështira për Izraelin, popullin e tij,e për të gjithë popujt që jetojnë në atë kënd të botës, e ardhmja do të jetë me siguri një e ardhme e një Izraeli më të fortë e më të sigurt, e pa asnjë dyshim në një rajon më të begatë, të paqtë e vizionarë.
Rama vlerësoi se marrëdhëniet me popullin hebre janë pjesë e historisë krenare të vendit tonë.
“Ato kanë shkruar një faqe shumë të bukur në historinë e botës duke qenë vendi europian i vetëm që kishte më shumë hebrej pas Luftës së Dytë Botërore se sa më parë. Jemi shumë krenarë që paraardhësit tanë, qofshin myslimanë a të krishterë, kapërcyen çdo lloj kufizimi fetar apo të një lloji tjetër dhe mbrojtën hebrenjtë dhe asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria u bë një vend ku ndryshe nga vende të tjera hebrejtë nuk largoheshin por vinin të gjenin miqësi, strehë e mbrojtje.