Në Shqipëri, ambasada amerikane, bëri të ditur të premten se ajo “do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit”. Deklarata e saj, pason atë të dy ditëve më parë të ambasadori të Delegacionit të Bashkimit europian, Silvio Gonzato, pas takimit që ai kishte patur me kryetaren e parlamentit Elisa Spiropali, e ku shprehej se dhe Bashkimi europian do të angazhohej me këtë komision si dhe me atë për për luftën ndaj dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në procesin demokratik.
Qëndrimet e dy përfaqësive më të rëndësishme diplomatike, të cilat kanë qenë dhe sponsorët e Reformës në Drejtësi dhe zbatimit të saj, duket se kanë avancuar nga ato të mbajtura fillimisht kur nisma për një cikël të ri reformash u prezantua në maj nga kryeministri Edi Rama. Në atë kohë ambasada amerikane foli për “një propozim premtues”, ndërsa Delegacioni i BE-së tha se “e mirëpriste çdo nismë për të çuar më tej proceset e arritjeve të reformave të Shqipërisë”. Ndërsa iu përmbajtën termave të përgjithshëm, të dy përfaqësitë diplomatike vunë theksin te nevoja e gjithpërfshirjes dhe garancia “e pakthyeshmërisë së reformës në drejtësi”.
Kur socialistët vijuan me shpejtësi të vinin në zbatim projektin e tyre dhe në fillim të qershorit miratuan vetëm me votat e tyre një rezolutë të posaçme në parlament si dhe ngritjen e Komisionit të Posaçëm, ato folën për “nxitimin me të cilin u kaluan në parlament rezoluta dhe vendimi”, apo vunë në dukje faktin se gjithshka u realizua “pa mbështetjen e opozitës”, e cila mbajti një qëndrim refuzues ndaj ftesës së shumicës që ajo të bëhej pjesë e komisionit, ndërsa nuk munguan zërat që e shihnin nismën si një përpjeje të fshehur për të rritur kontrollin ndaj institucioneve të krijuara nga reforma në Drejtësi, e veçanërisht ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit.
Socialistët vijuan punën dhe Komisioni ka ngritur infrastrukturën mbështetëse duke ftuar ekspertë dhe përfaqësues nga shumë institucione, përfshirë ato të Drejtësisë. Opozita ndërkohë, publikisht, nuk ka ndryshuar pozicion.
“Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”, thekson në deklaratën e saj ambasada amerikane. Ndërsa ambasadori Gonzato shprehej se asistenca europiane synon “të sigurojë koherencë të plotë me angazhimet të Shqipërisë për anëtarësim në BE” .
Në objektin e punës së Komisionit të Posaçëm, flitet për një proces të thelluar reformimi “për të përmirësuar dhe konsoliduar praktikat e mirëqeverisjes në të gjitha nivelet”, për “një luftë më të thellë ndaj korrupsionit” dhe “forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit”. Komisioni do duhet të realizojë “një vlerësim dhe analizë të situatës në të tre fushat” dhe më pas të kalojë në “hartimin dhe miratimin e një Plani veprimi me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale”.
Angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që pritet të përkthehet në praninë e tyre me ekspertë për të tre fushat e ndërhyrjeve të parashikuara, krahas dhe ekspertëve që parashikohet të dërgohen dhe nga OSBE-ja e Këshilli i Evropës, duket se i jep garanci procesit, përballë dilemave me të cilat është përballur që në nisje./Voa