Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, prej më shumë se nëntë muajsh në paraburgim, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar t’i garantohet e drejta kushtetuese për t’u njohur realisht me aktet e dosjes ndaj tij. Sipas Veliajt, ai nuk ka pasur mundësi të lexojë asnjë faqe të materialeve hetimore, duke e konsideruar këtë një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të mbrojtjes.

Në kërkesën e paraqitur pranë gjykatës, Veliaj argumenton se nuk i është mundësuar asnjë formë efektive qasjeje në dosje, pasi:

USB-ja e dorëzuar avokatëve të tij nuk mund të përdoret brenda ambienteve të sigurisë së burgut;
gjykata nuk ka vënë në dispozicion një kopje fizike të materialeve;
– ndërkohë aktet e depozituara në gjykatë nuk përputhen me ato në USB të dorëzuar nga prokuroria.

Sipas tij, ky është një cenim i drejtpërdrejtë i nenit 31 të Kushtetutës, që garanton të drejtën për mbrojtje efektive, si dhe i nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që parashikon të drejtën për t’u njohur me provat dhe përgatitur mbrojtjen.

Veliaj kërkon vetëm dy elemente minimale për të ushtruar të drejtën e tij ligjore:

  1. Një kopje fizike të dosjes, që ai të mund ta lexojë personalisht në kushtet e paraburgimit;
  2. Kohë të arsyeshme për t’u përgatitur për procesin gjyqësor.

Në kërkesë vihet në dukje se vijimi i procedurës pa garantuar këto të drejta elementare e vë në pikëpyetje vlefshmërinë e çdo hapi të mëtejshëm dhe e shndërron procesin në një formalitet që cenon drejtësinë dhe standardet europiane të gjykimit të drejtë.

Publikimi i kësaj kërkese, sipas burimeve pranë mbrojtjes, bëhet për të informuar publikun mbi faktin se një nga çështjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare po vijon pa plotësuar standardet minimale të procesit të rregullt ligjor.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu