
Tetë ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, skena politike në Kosovë mbetet pa një emër konkret. Partitë kryesore nuk kanë shpallur ende kandidat, ndërsa diskutimet po zhvillohen mes opsionit të konsensusit të gjerë dhe një marrëveshjeje politike për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.
Sipas Kushtetutës, kreu i shtetit duhet të zgjidhet një muaj para përfundimit të mandatit aktual. Presidentja Vjosa Osmani, e zgjedhur më 4 prill 2021, ka shprehur interes për një mandat të dytë, por deri tani nuk ka një propozim zyrtar.
Kryetari i LVV-së dhe kryeministri, Albin Kurti, është takuar me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike.
Kurti deklaroi se nevojitet një emër që garanton të paktën 2/3 e votave të deputetëve në sallë. Sipas tij, me 66 vota maksimale që mund të sigurohen nga shumica aktuale, nuk mjafton për zgjedhje të sigurt, pasi kërkohen rreth 83–85 deputetë për të shmangur dështimin dhe shkuarjen në zgjedhje.
Edhe Abdixhiku tha se janë diskutuar parime dhe shtylla për zgjidhje, por jo emra konkretë. Ndërsa Hamza u shpreh se PDK-ja nuk do të bëhet pengesë, por nuk do të mbështesë kandidatura që “nuk përfaqësojnë unitetin qytetar”.
Nëse brenda afatit nuk arrihet një marrëveshje, vendi rrezikon të përballet me zgjedhje të reja, duke e futur Kosovën në një tjetër fazë pasigurie politike në muajt e parë të vitit 2026.






