
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të rinjve që t’i bashkohen aktivitetit përkujtimor të 8 Dhjetorit – Ditës së Rinisë, i cili do të mbahet të hënën në Qytetin Studenti, në orën 11:00.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha e cilëson 8 Dhjetorin si një datë të bekuar, duke iu rikthyer lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, e njohur si “Lëvizja e Dhjetorit”, që sipas tij rrëzoi komunizmin dhe solli demokracinë në Shqipëri.
Ai vlerëson studentët e parë të dhjetorit ’90 si të rinj guximtarë që morën përsipër ndryshimin, duke veçuar figurën e Azem Hajdarit, të cilin e cilëson si lider të kësaj lëvizjeje historike.
“Sot përkujtojmë një datë që hyn në histori si momenti kur rinia studentore shqiptare nisi rrugën e lirisë. Nderime përjetë atyre të rinjve guximtarë që u vunë në krye të ndryshimit,” shkruan Berisha.
Ai fton qytetarët të marrin pjesë në aktivitetin përkujtimor, ku do të nderohen Azem Hajdari, studentët, pedagogët, punëtorët dhe të rinjtë që iu bashkuan Lëvizjes për Ndryshim, Shpresë dhe Liri në dhjetor të vitit 1990.






