
Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i rëndë i ndodhur këtë të martë në Tiranë, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar. Për ngjarjen, policia ka arrestuar dy drejtues automjetesh.
Në pranga janë vënë 42-vjeçarja Valentina Selman Koltraku dhe 55-vjeçari Tomorr Kostandin Shukulli. Sipas informacioneve paraprake, i mituri është goditur fillimisht nga automjeti i drejtuar nga Shukulli dhe më pas nga mjeti që drejtohej nga Koltraku.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:20, në rrugën “Kastriotët”, ndërsa i mituri, për shkak të plagëve të marra, nuk arriti të mbijetojë.
Komunikata e policisë
Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K.
Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.
Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit.
Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.






