Nikola është 7 vjeçari shqiptar, i cili humbi jetën ditën e djeshme, pasi u mbyt në det, ku kishte shkuar për të notuar, pavarësisht paralajmërive të nënës, e cila e ndaloi të hynte në det për shkak të dallgëve të forta. Një banor i zonës që pa vogëlushin në det që qëndronte përmbys pa ndjenja, menjëherë dha alarmin. Në vendngjarje shkuan edhe banorë të tjerë të fshatit, të cilët e kanë nxjerrë trupin e të miturit nga uji.
Në fillim, ata që panë trupin e fëmijës menduan se ishte një qese që notonte në ujë. Por kur e kuptuan se bëhej fjalë për një person, ata nxituan menjëherë për të ndihmuar.
Madje, pasi e kanë nxjerrë fëmijën nga uji, kanë përdorur menjëherë defibrilatorin e klubit, por më kot.
Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për reanimim nga shpëtimtarët e EKAV-it që mbërritën në vendngjarje, Nikos i vogël nuk arriti të mbijetonte
Një dëshmitar okular tha se në momentin që të miturin Nikola e kanë nxjerrë nga deti, atij i rrihte ende zemra.
“Zemra i rrihte ende kur hymë në det për ta nxjerrë jashtë. Zemra e tij po rrihte. Ai kishte humbur ndjenjat dhe për pasojë rrymat e çuan në port”, tha dëshmitari, raportojnë mediat greke.
Mediat lokale në Kretë bëjnë me dije se Nikola i vogël do të varroset në Shqipëri.
Mes hidhërimit për humbjen e madhe, familja e të miturit, nxënës i klasës së parë, po haset me probleme për transportin e trupit në Shqipëri për shkak të vështirësive financiare.
Për këtë arsye komuniteti lokal në ishull po mbledh fondet e nevojshme për varrimin e vogëlushit Niko në Shqipëri. Banorët e zonës tashmë kanë filluar të kontribuojnë, duke treguar mbështetjen e tyre për familjen e të ndjerit.
Si ndodhi ngjarja tragjike
Fëmija i kishte kërkuar nënës leje që të shkonte të notonte me një shok, por ajo kishte refuzuar. Duke i ikur nga vëmendja nënës, i mituri ishte futur në det, por fatkeqësisht e kishin marrë dallgët, e për pasojë kishte humbur ndjenjat. Më pas ai u gjet i pajetë nga një banor i zonës,i cili e kishte parë mbi ujë.
Banorët e tjerë u mobilizuan për t’i dhënë ndihmën e parë që ta shpëtonin, por ishte tepër vonë.
Nikolasi i vogël, siç bëjnë me dije mediat greke, ishte me origjinë nga Shqipëria dhe jetonte me prindërit e tij vitet e fundit në Arvi.
Prindërit e tij janë punëtorë kryesisht në serra, njerëz të shkëlqyer siç përshkruajnë bashkëfshatarët e tyre.
Të gjithë po flasin për një fëmijë të mrekullueshëm plot energji, gëzim dhe mirësi.
Nëna e tij pak muaj më parë solli në jetë fëmijën e dytë të familjes dhe në momentin që ndodhi tragjedia ishte në shtëpi me foshnjën, ndërsa babai në punë.
Kryebashkiaku i Viannos, Pavlos Baritakis, tha për cretapost.gr se “fëmija e donte shumë detin dhe i shpëtoi vëmendjes së prindërve, si pasojë e të cilit humbi jetën”. Në një pyetje lidhur me plazhin, kryebashkiaku i Viannos theksoi se ky plazh i veçantë nuk është i organizuar, pra nuk ka një roje shpëtimi. Gjithashtu, është shkëmbor.
Sipas informacioneve të fundit, prindërit kanë qenë në komisariat dhe kanë dhënë deklaratë se si ka ndodhur ngjarja. Balkanweb