
Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe njëherazi Drejtuesi Politik për Diasporën, Taulant Balla, priti në një takim në Kuvend mësues të gjuhës shqipe që veprojnë në diasporë.
Gjatë takimit, Balla vlerësoi rolin e rëndësishëm të mësuesve në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar tek fëmijët që rriten jashtë vendit. Ai theksoi se falë përkushtimit të tyre, si dhe mbështetjes së shtuar nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama, mësimi i gjuhës shqipe në diasporë po zgjerohet nga viti në vit.
Sipas tij, aktualisht janë mbi 900 mësues që japin mësim në gjuhën shqipe në komunitetet shqiptare jashtë vendit. Balla përmendi gjithashtu programe konkrete mbështetëse, si iniciativa “Mësues për Greqinë”, e cila synon të ofrojë për herë të parë mbështetje të drejtpërdrejtë nga shteti shqiptar për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
Ai nënvizoi se mbi 400 mijë fëmijë shqiptarë në diasporë përbëjnë një potencial të madh që duhet mbështetur për të ruajtur lidhjen me gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Në përfundim të takimit, Balla falënderoi mësuesit për përkushtimin e tyre dhe uroi të gjithë mësuesit shqiptarë në diasporë për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit.






