Itali, 25 Qershor 2025 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri. Një 60-vjeçar italian ka pranuar sot para Prokurorisë se ka vrarë dhe më pas ka groposur trupin e një 25-vjeçari shqiptar, i cili ishte zhdukur prej disa ditësh.

Krimi ka ndodhur të dielën mbrëma në Foria di Centola, në provincën e Salernos. Sipas dëshmisë së autorit, i riu shqiptar u qëllua me armë zjarri gjatë një tentative për grabitje në banesën e tij. Pas ngjarjes, ai ka marrë trupin e pajetë dhe e ka varrosur pranë një fushe sportive, në zonën San Severino.

Italiani, i shoqëruar nga avokati i tij, është paraqitur sot në Prokurori në gjendje të rënduar emocionale, ku ka rrëfyer gjithë dinamikën e ngjarjes dhe ka treguar vendin ku kishte fshehur trupin.

Sipas hetimeve paraprake, tre persona dyshohet se tentuan grabitjen. Njëri prej tyre, shtetasi shqiptar 25-vjeçar, mbeti i vrarë. Një tjetër shqiptar është plagosur rëndë në gjoks dhe ndodhet në gjendje kritike në spitalin “Cardarelli” të Napolit. Ndërsa personi i tretë është ende në arrati dhe po kërkohet nga policia italiane.

Mediat italiane raportojnë se gjatë grabitjes, autorët kishin arritur të merrnin edhe një armë zjarri, e cila mund të jetë përdorur gjatë përplasjes me të zotin e shtëpisë.

I riu shqiptar, babai i një fëmije dhe në prag martese, kishte disa ditë që ishte shpallur i zhdukur. Gjetja e trupit të tij të pajetë ka shtuar tronditjen, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu