Investimi për rrugën Shëngjin- Velipojë për më shumë se 5 vite u kthye në “mollë sherri” mes qeverisë – bashkisë Shkodër dhe opozitës, si dhe peng i zvarritjeve.
Lidhur me ecurinë e punimeve dhe përfundimin e tyre Faktoje i është drejtuar me kërkese zyrtare Fondit Shqiptar të Zhvillimit, njësia zbatuese e këtij projekti.
Në përgjigjen për Faktoje, FSHZH, mes të tjerash konfirmon si afat përfundimi muajin Shtator 2024, megjithatë nxjerr si problematikë vonesat në procesin e shpronësimit.
“Projekti është në fazë zbatimi dhe aktualisht po ecën me ritme të mira, pavarësisht vonesave të shkaktuara nga moslirimi i sheshit të ndërtimit për shkak të problemeve sociale me banorët, pronat e të cilëve preken nga projekti dhe vonesave në procesin e shpronësimeve, përgjegjësi e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore. Moslejimi i qarkullimit të mjeteve të rënda në zonat turistike me fluks të shtuar ka çuar në pezullimin e punimeve gjatë sezonit veror, çka ka impaktuar gjithashtu realizimin e projektit.
Sa i përket punimeve të zbatimit, të cilat pritet të përfundojnë brenda muajit Shtator 2024, ju bëjmë me dije se është drejt përfundimit hapja e trasesë për të gjithë gjatësinë e rrugës, po punohet për ndërtimin e veprave të artit si: mure, box-e betonarme, tombino, si dhe po vijon puna për mbushjen e trasesë me material guror dhe çakull”.