
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka bërë publike vendimet për ndërhyrjen emergjente në aksin e bllokuar Librazhd–Përrenjas, pas mbledhjes së Këshillit Teknik të zhvilluar këtë të martë.
Kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, deklaroi se shkaku kryesor i situatës është ndikimi i reshjeve intensive dhe të zgjatura, të cilat kanë shkaktuar erozion lumor dhe rrëshqitje të vazhdueshme të dherave në zonë.
Sipas analizës teknike, situata është përkeqësuar nga goditja e vazhdueshme e rrjedhës së Lumit Shkumbin në trupin e rrugës dhe pranë linjës hekurudhore, duke e nxjerrë segmentin jashtë funksionit.
Vendimet e marra nga Këshilli Teknik:
1. Ndërtimi i një rruge të re provizore në shtratin e Lumit Shkumbin për të garantuar qarkullimin.
2. Rakordim i menjëhershëm me Hekurudhën Shqiptare, agjencitë kombëtare të mjedisit dhe institucionet e menaxhimit të burimeve ujore për koordinim të plotë të ndërhyrjes.
3. Prishja e urës ekzistuese, lehtësimi i segmentit të dëmtuar dhe ndërtimi i një skarpati natyror për të mundësuar stabilizimin e terrenit.
4. Përmirësimi i sistemit të ujërave në të gjithë zonën përreth për të shmangur përsëritjen e fenomenit.
5. Devijimi i rrjedhës së lumit, i cili aktualisht godet rrugën dhe hekurudhën.
ARRSH thekson se ndërhyrja do të jetë emergjente dhe në disa faza, me synimin për të rikthyer sa më shpejt qarkullimin në një nga akset më të rëndësishme që lidh juglindjen me pjesën tjetër të vendit.
Bllokimi disa ditor i këtij segmenti ka shkaktuar devijime të trafikut dhe vështirësi të konsiderueshme për qytetarët dhe transportin e mallrave.






