Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur akuza të forta ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke e akuzuar se ka premtuar “fishekzjarrë dhe spektakël” në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së, por pa arritur të paraqesë prova konkrete.

Avokati Luka Mishetiq deklaroi para trupit gjykues se Prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë të besueshme që e lidh Thaçin me përgatitjen apo shpërndarjen e komunikatave dhe deklaratave politike, siç pretendohet në aktakuzë.

“Ju kemi thënë se nuk ka prova të besueshme që Hashim Thaçi kishte rol në përgatitjen dhe shpërndarjen e komunikatave apo deklaratave politike. ZPS nuk ka dhënë asnjë shpjegim racional pse pretendohet se qëllimi i përbashkët kriminal është transmetuar përmes tyre”, u shpreh Mishetiq.

Sipas tij, dëshmitë e dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe atyre brenda UÇK-së tregojnë se Thaçi nuk dyshohej për përfshirje në krime lufte dhe as në ndonjë politikë që synonte kundërshtarët.

Avokati shtoi se Prokuroria nuk kishte kundërpërgjigje për këto argumente themelore. “Nuk është se nuk kishin kohë – ata thjesht nuk kishin përgjigje”, theksoi ai.

Mishetiq e cilësoi si “mëkat të madh të pafalshëm” faktin që, sipas tij, ZPS ka premtuar më shumë sesa ka paraqitur në sallën e gjyqit.

“Mbrojtja e di që ju do të bëni punën tuaj, por prokuroria do që ju të bëni punën e tyre – të gjeni prova që ata nuk arritën t’i gjenin. Ata premtuan fishekzjarrë dhe spektakël, por paraqitën asgjë”, deklaroi avokati.

Ai shtoi se akuzat e Prokurorisë mbeten “premtime boshe, të tepërta dhe pa fakte”, duke ngritur pikëpyetje mbi bazën e pretendimeve ndaj ish-presidentit.

Në seancën e sotme pritet që fjalën përfundimtare ta japin edhe të akuzuarit e tjerë nga radhët e ish-drejtuesve të UÇK-së, në një proces që vijon të ndiqet me vëmendje të madhe në Kosovë dhe më gjerë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu