
PRIZREN – Një ngjarje tragjike ka ndodhur paraditen e sotme në qendër të Prizren, ku një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën si pasojë e intoksikimit nga tymi, pasi një shtëpi banimi u përfshi nga flakët. Tre fëmijë të tjerë kanë arritur të shpëtojnë dhe po marrin trajtim mjekësor.
Sipas Specialistit të Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishti, fëmija i katërt është dërguar në spital pa shenja jete, ndërsa tre të tjerët janë shtruar në repartin e pediatrisë me gjendje stabile, por nën monitorim të vazhdueshëm për shkak të thithjes së tymit.
Zëdhënësi i Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, deklaroi se shkaqet e zjarrit ende nuk janë konfirmuar, por dyshimet paraprake lidhen me instalimet elektrike ose ndonjë pajisje elektrike. Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me prokurorinë dhe ekspertët e zjarrit.
Dëshmitarët: Flakët e përpinë shpejt shtëpinë
Një dëshmitar okular, Sabri Shabani, tregoi se banorët u alarmuan nga zërat dhe panë se shtëpia ishte përfshirë plotësisht nga flakët. Sipas tij, tre fëmijë u nxorën me ndihmën e fqinjëve, ndërsa i katërti nuk u arrit të shpëtohej për shkak të intensitetit të zjarrit dhe mungesës së pajisjeve.
Njësitet e zjarrfikësve dhe policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe lokalizuan plotësisht zjarrin, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal me instalimet elektrike, veçanërisht në banesat e vjetra.




