Ndërtoi pa leje një objekt me strukturë druri (beach-bar), në vijën bregdetare në Dhcrmi, procedohet penalisht 53-vjeçari.
Në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe IMT Himarë, rikthehet në gjendjen fillestare hapësira e plazhit.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe ato të Stacionit të Policisë Dhërmi, bazuar në informacionet e siguruara, kanë ushtruar kontroll në plazhin e Dhërmiut, ku rezultoi se në aktivitetin e shtetasit M.A. po ndërtohej një objekt me strukturë druri (beach-bar), pa leje nga organet kompetente.
Në vijim të veprimeve, pas prishjes së këtij objekti nga IMT dhe Policia Bashkiake Himarë, me qëllim rikthimin e hapësirës në gjendjen fillestare, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dhërmi kanë nisur procedimin penal për shtetasin M.A., 53 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë, me qëllim rikthimin e hapësirave publike dhe ndëshkimin sipas ligjit të çdo shtetasi që prek këto hapësira dhe i shfrytëzon ato në mënyrë të paligjshme.