
Nga janari i vitit 2026, pensionet do të rriten muaj pas muaji, përveç indeksimit vjetor.
Kjo rritje, sipas kryeministrit Edi Rama, është e përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2026, që u miratua dje në Këshillin e Ministrave dhe i ka kaluar Parlamentit për diskutime.
“Pensioni urban në vite të plota pune do të rritet 1 mijë e 800 lekë; Pensioni urban i pjesshëm do të rritet 800 lekë; Pensioni rural do të rritet 1 mijë lekë; Pensioni familjar do të rritet 700 lekë; Pensioni i invaliditetit do të rritet 600 lekë”, tha Rama.
Kjo rritje e përmjuajshme do të vijojë edhe në vitet e tjera, të paktën deri në 2029.
“Në vitet në vijim, të njëjtat shifra do të dyfishohen për secilën kategori në 2027, do të trefishohen 2028, do të katërfishohen 2029 për të arritur vlerën e premtuar në qershor të këtij viti, ku shqiptarët na dhanë plot 83 mandate. Pensioni urban me vitet plota pune të shkojë 40 mijë lekë të reja nga 27 mijë 350, që është sot. Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 15 mijë e 850 lekë, që është sot. Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 mijë e 500, që është sot. Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 mijë e 400, që është sot. Dhe pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë që është sot”, tha Rama.
Ndërkohë, në dhjetor pensionistët presin të marrin si çdo fundvit bonusin, i cili edhe këtë herë do të jetë i ndarë në dy kategori: Ata që marrin pension deri në 20 mijë lekë do të përfitojnë 15 mijë lekë bonus, ndërsa ata me pension mbi 20 mijë lekë, do të kenë shpërblim 10 mijë lekë.
Konkretisht, sipas kategorive, në fund të mandatit synohet që pensionet të rriten si më poshtë:
Pensioni urban me vite të plota pune, 40 mijë lekë të rinj nga 27 mijë që është sot
Pensioni urban i pjesshëm: 22 mijë lekë të rinj nga 15 mijë që është sot
Pensioni rural: 18 mijë lekë të rinj nga 11 mijë që është sot
Pensioni familjar: 18 mijë lekë të rinj nga 11 që është sot
Pensioni i invaliditetit: 30 mijë lekë të rinj nga 20 mijë që është sot
            
	





