
Në 50-vjetorin e rënies së Saigonit dhe përfundimit zyrtar të Luftës së Vietnamit, kinemaja kthehet në retrospektivë për të nderuar një nga konfliktet më të trazuara dhe më të debatuara të shekullit XX. Lufta e Vietnamit nuk u luftua vetëm në xhungla dhe qytete, por edhe në mendjet e miliona njerëzve – dhe për dekada, ajo ka qenë terren pjellor për kineastët që kërkojnë të kuptojnë, sfidojnë apo kujtojnë traumën dhe mësimet e saj.
Këta 10 filma, të përzgjedhur në këtë përvjetor, shpalosin qasje të ndryshme – nga dokumentarë të fuqishëm te satira therëse, nga realizmi i ashpër në front, te lufta e brendshme e atyre që mbijetuan. Ja cilët janë:
1. “The Big Shave” (1967) – Martin Scorsese
Një metaforë e përgjakshme për vetëshkatërrimin amerikan në Vietnam, përmes një prerjeje fytyre gjatë rruatjes e cila nuk ndalet. Një metaforë e zymtë e luftës. E thjeshtë, e shkurtër, por goditëse.
2. “The Little Girl of Hanoi” (1974) – Hải Ninh
Një film vietnamez që ndjek një vajzë në kërkim të familjes së saj pas bombardimeve të B-52-ve. Po aq propagandë sa dhe poezi vizuale – një pamje nga ana tjetër e frontit.
3. “Hearts and Minds” (1974) – Peter Davis
Një dokumentar që tronditi publikun amerikan, duke vendosur përballë realitetin e luftës në Vietnam me iluzionet politike në SHBA.
4. “The Deer Hunter” (1979) – Michael Cimino
Një sagë epike që ndjek tre miq nga Pensilvania përmes ferrit të luftës dhe kthimit të tyre të plagosur shpirtërisht. Një këngë zie për një Amerikë të humbur.
5. “Apocalypse Now” (1979) – Francis Ford Coppola
Një zhytje në çmendurinë njerëzore, me sfondin e luftës në Vietnam. Një film që nuk e përshkruan luftën – por e ëndërron, në formën e një makthi të epokal.
6. “Platoon” (1986) – Oliver Stone
Me rrënjë në përvojën vetjake të regjisorit si ushtar, “Platoon” është ndoshta përfaqësimi më realist dhe më i prekshëm i përçarjes morale mes amerikanëve në front.
7. “Full Metal Jacket” (1987) – Stanley Kubrick
Një portret i dyfishtë i dehumanizimit – nga stërvitja brutale deri tek lufta në rrugët e Hué gjatë ofensivës së Tet-it. Satirik, i ftohtë, tronditës.
8. “Little Dieter Needs to Fly” (1997) – Werner Herzog
Historia reale e pilotit Dieter Dengler, i rrëzuar dhe i kapur në Laos. Një dokumentar intim që më vonë u shndërrua në film artistik me Christian Bale.
9. “The Fog of War” (2003) – Errol Morris
I bazuar në rrëfimin e Robert McNamara, ky dokumentar është një reflektim mbi moralin, arrogancën dhe logjikën e luftës – dhe përse shpesh ato nuk shkojnë bashkë.
10. “The Post” (2017) – Steven Spielberg
Një rikujtim se si e vërteta e Luftës së Vietnamit nisi të dalë në dritë përmes shtypit të lirë. Një lavd për kurajën editoriale dhe për lirinë e medias në kohë lufte.
Nga dhuna e papërshkrueshme, te reflektimet më të thella njerëzore, këta filma mbeten dëshmi të një kohe që vazhdon të lërë gjurmë — jo vetëm në histori, por edhe në ndërgjegjen kolektive. Në këtë 50-vjetor, ekrani bëhet pasqyra më e qartë e një lufte që s’mbaroi kurrë plotësisht./AP