
Shpërthimi i papritur i luftës mes Izraelit dhe Iranit ka bllokuar 5 shqiptarë në shtetin hebre. Ambasadorja jonë në Tel Aviv, Meri Kumbe, gjatë një intervistë për Klan News, ka deklaruar se ata janë të gjithë në gjendje të mirë.
“Qytetarët shqiptarë të ndodhur këtu përkohësisht, janë mirë. Janë të frikësuar, për hir të së vërtetës. Jemi në kontakte të vazhdueshme me ‘ta, që në momentin që nisi sulmi dhe u vetëdeklaruan e kërkuan asistencën tonë”, tha ajo.
Sipas ambasadores 5 shtetasve të bllokuar në Izrael së shpejti do t’u mundësohet largimi nga kjo zonë e rrezikshme.
“Ne jemi duke punuar me autoritetet vendase dhe me shtetet fqinje këtu, për të parë mundësitë se si mund të nxjerrim qytetarët tanë të sigurtë, në formë të sigurtë nga Izraeli”, tha ajo.
Ambasadorja informoi edhe për gjendjen e nënshtetasve izraelitë me kombësi shqiptare
“Dhe ata janë mirë. Deri tani nuk kemi të raportuar, fatmirësisht, asnjë dëm material ose plagosje ndër ‘ta”, tha ajo.
Aktualisht ambasada jonë në Tel Aviv është e mbyllur, si të gjitha institucionet në Izrael, por Kumbe tha se përfaqësia shqiptare është duke funksionuar online.
“Jemi në dispozicion përmes rrjeteve online, e-mail, telefona. Me whatsapp kryesisht ka qenë shumë komode për qytetarët për të na asistuar. Numrat tona janë të publikuara online, edhe ju i keni nxjerrë”, tha ajo.
Civilët në Izrael janë të rrezikuar pasi Irani po kundërpërgjigjet duke goditur jo vetëm objektivat ushtarake por edhe zonat e banuara.
Tv Klan