
Vetëm 5 minuta ka zgjatur seanca e dytë parlamentare e kësaj të marte. Parlamenti, me prezencë vetëm të socialistëve, ka miratuar kryesitë me deputetët socialistë të komisioneve të përhershme parlamentare.
Me 71 vota pro dhe 1 kundër u votua përbërja e këtyre komisioneve vetëm me deputetët e mazhorancës.
Që do të thotë se u votuan vetëm kryetarët e PS që drejtojnë komisionet parlamentare, dhe nënkryetarët e PS në ato komisione që drejtohen nga opozita.
Kjo për shkak se Partia Demokratike nuk i ka dorëzuar emrat e deputetëve të saj që do të jenë kryetarë dhe nënkryetarë komisionesh të përhershme parlamentare.
E pranishme në sallën e seancave plenare, nga Partia Demokratike ishte vetëm deputetja Jozefina Topalli, e cila dhe votoi kundër./shqiptarja







