
Policia ka arrestuar 24-vjeçarin Devis Faruku, i cili u bënte thirrje qytetarëve që të shikonin dhe të ndiqnin momentin e djegies së një makine të Policisë së Shtetit, duke promovuar publikisht një akt të rëndë dhune dhe duke tentuar të nxisë reagime të rrezikshme në publik.Ndërkohë, Drejtoria e Antiterrorit po ndjek çështjen në vijimësi, duke ndjekur procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë dhe duke vlerësuar ndikimin dhe rrezikshmërinë e mesazheve të shpërndara në rrjet.
Njoftimi i policisë:
Bëri thirrje të drejtpërdrejta, nëpërmjet postimeve në TikTok, për akte të dhunshme, përfshirë nxitjen për djegien e një automjeti të Policisë së Shtetit, identifikohet dhe vihet në pranga 24-vjeçari.
Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, gjatë monitorimeve të rrjeteve sociale, konstatuan postime të publikuara nga një adresë false në rrjetin social TikTok, ku një shtetas bënte thirrje për akte dhune.
Menjëherë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit nisi punën për identifikimin e autorit të këtyre postimeve./Panorama