Në datat 28–29 tetor 2025, Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit Bashkimi Europian–Shqipëri, i përbërë nga delegacione shumëpartiake me deputetë të Parlamentit Europian dhe të Kuvendit të Shqipërisë, zhvilloi takimin e tij të 20-të në Tiranë. Gjatë këtyre dy ditëve, u zhvilluan shkëmbime të sinqerta dhe gjithëpërfshirëse mbi një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, politikën e jashtme, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe sfidat në sektorët e ekonomisë, energjisë, mjedisit dhe turizmit.

Komiteti theksoi rëndësinë e reformave të mëtejshme për të çuar Shqipërinë më pranë BE-së dhe për të konsoliduar sundimin e ligjit në dobi të të gjithë qytetarëve. U vlerësua angazhimi i palëkundur i Shqipërisë ndaj procesit të anëtarësimit, si dhe konsensusi i gjerë politik për këtë qëllim. U mirëprit përparimi i bërë në hapjen e një numri mbresëlënës kapitujsh negociues gjatë 12 muajve të fundit, me pritshmërinë për të hapur kapitullin e fundit të mbetur përpara përfundimit të vitit.

Komiteti përshëndeti gjithashtu rreshtimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe rolin e saj konstruktiv në nismat rajonale si Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Procesi i Berlinit. U vlerësua vendimi i Parlamentit Europian për të hapur në Tiranë zyrën e përfaqësimit për Ballkanin Perëndimor, si një njohje e arritjeve të vendit dhe e rolit të kryeqytetit shqiptar si një nga më dinamikët në rajon. Komiteti shprehu gatishmërinë për të mbështetur Kuvendin e Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve parlamentare, me theks të veçantë tek deputetët e rinj dhe fuqizimi i grave. Takimi i ardhshëm i Komitetit pritet të zhvillohet në Bruksel ose Strasburg në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

 

Deklaratë e përbashkët nga Bashkë-Kryetarët Taulant BALLA (Kuvendi i Shqipërisë) dhe Marco TARQUINIO (Parlamenti Evropian) – takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit, më 28 – 29 tetor 2025 (Tiranë)
29 tetor 2025
Në vijim të Takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit, në datat 28 dhe 29 tetor 2025 në Tiranë, Bashkë-Kryetarët Taulant Balla (Kuvendi i Shqipërisë) dhe Marco Tarquinio (Parlamenti Evropian) deklaruan:
Në datat 28 dhe 29 tetor 2025 Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asocimit Bashkimi Evropian – Shqipëri (KPSA), i përbërë nga delegacione shumë partiake me Deputetë të Parlamentit Evropian dhe të Kuvendit të Shqipërisë, zhvilloi takimin e tij të 20-të në Tiranë.
Kemi pasur shkëmbime të sinqerta dhe gjithëpërfshirëse mbi një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, politikën e jashtme, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal, ecurinë dhe sfidat në sektorët e ekonomisë, energjisë, mjedisit dhe turizmit në Shqipëri, si dhe institucionet e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit e të gjitha formave të krimit, respektimi i të drejtave të njeriut, të drejtave të pakicave dhe liria e medias.
U fokusuam veçanërisht tek reformat që ende janë shumë të nevojshme për ta çuar Shqipërinë edhe më pranë Bashkimit Europian, por edhe për të konsoliduar sundimin e ligjit në vend, në dobi të të gjithë qytetarëve të saj. Në këtë drejtim, jemi dakord për nevojën për të pasur legjislacion të mirë, si dhe zbatimin e tij të qëndrueshëm dhe të intensifikuar. 
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit përshëndet angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian, i cili është thelbësor në përparimin e vendit dhe pasqyron mbështetjen e fuqishme të qytetarëve të saj dhe konsensusin e gjerë dhe të lavdërueshëm mes forcave politike, pavarësisht dallimeve të tyre të zëshme në çështje të tjera. 
Mirëpresim ambicien për të çuar përpara negociatat e anëtarësimit e në veçanti, ecurinë në hapjen e një numri mbresëlënës grupkapitujsh negociues gjatë 12 muajve të fundit, me pritshmërinë për të hapur grup-kapitullin e fundit të mbetur përpara përfundimit të vitit.
Përshëndesim më tej rreshtimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, veçanërisht në reagimin e saj ndaj sfidave globale dhe në ndikimin pozitiv të vendit për stabilitet rajonal dhe angazhimin proaktiv në nismat e bashkëpunimit rajonal, siç janë Tregu i Përbashkët Rajonal, Procesi i Berlinit, të cilat shërbejnë si hapa jetike të drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Parlamenti Europian është i gatshëm të vijojë të ndihmojë Kuvendin, ndërkohë që Shqipëria i afrohet anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. 
Në këtë kuadër, përshëndesim vendimin e Parlamentit Europian për të hapur në Tiranë zyrën e përfaqësimit të tij për Ballkanin Perëndimor. Theksojmë se kjo përbën njëherësh njohjen e arritjeve të vendit për anëtarësim, si dhe vlerësimin e qytetit si një nga kryeqytetet më tërheqëse dhe më dinamike në këtë pjesë të Europës.
Ne gjithashtu përshëndesim nismat që synojnë të mbështesin Kuvendin e Shqipërisë, deputetët dhe shërbimet parlamentare në forcimin e kapaciteteve parlamentare dhe rolin e tyre në procesin e integrimit në BE. Në këtë drejtim, presim me padurim të bashkëpunojmë ngushtë në fushat e dialogut, konsensusit dhe të ngritjes së kapaciteteve për parlamentarët në gjithë spektrin politik, me një theks të veçantë tek deputetët e rinj dhe fuqizimi i grave.
Presim me padurim takimin e ardhshëm të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, i cili do të zhvillohet në Bruksel apo në Strasburg, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu