
Një 44-vjeçar shqiptar, i kërkuar prej më shumë se dy dekadash nga drejtësia italiane, është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është arrestuar menjëherë pas mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza”. Bëhet fjalë për Kamer Duhanxhiun, i dënuar me 30 vite burg për vrasje dhe tentativë vrasjeje, ngjarje të ndodhura në vitin 1999 në qytetin e Asti-t, Itali.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit
Sipas Departamentit të Policisë Kriminale, ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes FAST Albania të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, Shërbimit Diplomatik të Sigurisë dhe Zyrës së Hetimeve Kriminale në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale Italiane dhe Shërbimit të Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar, Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë, si dhe Agjencisë për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare (ICE) në SHBA.
Duhanxhiu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 1999, ndërsa autoritetet italiane e kishin dënuar për vrasje të mbetur në tentativë dhe vrasje në rrethana cilësuese. Ai ishte lokalizuar dhe arrestuar më herët gjatë vitit 2025 në Florida, ku jetonte i fshehur prej vitesh.

Më 19 nëntor 2025, ai u deportua me fluturim çarter drejt Tiranës. Menjëherë pas uljes në aeroport, u vu në pranga bazuar në kartelën e kuqe të Interpolit të lëshuar nga Italia.
Kamer Duhanxhiu pritet të ekstradohet drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin 30-vjeçar të dhënë për ngjarjen e vitit 1999.
Policia e Shtetit e cilëson këtë operacion si një tjetër shembull suksesi të bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet agjencive ligjzbatuese.




