Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, një ditë më parë, më 23 korrik, u mor i pandehur nga SPAK.

Agjentët e BKH-së i komunikuan në paraburgimin e Durrësit akuzat që rëndojnë mbi të, konkretisht korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim të të ardhurave dhe futja e sendeve të paligjshme në qeli.

Fatjon Baci, gardian në burgun e Durrësit, gjithashtu është marrë i pandehur pasi akuzohet për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, pasi sipas SPAK i ka dhënë celularin e tij kryebashkiakut për të komunikuar me bashkëshorten dhe vëllanë e tij, Arbër Veliaj.

Në dosje zbardhet dëshmia e Bacit, i cili thotë se ia ka dhënë telefonin Veliajt nga frika, për shkak të pushteti dhe personit që përfaqëson kryebashkiaku.

Pjesë nga dosja

Në datë 13.03.2025, shtetasi Fatjon Baci ka shpjeguar se Erion Veliaj i ka kërkuar dhe ka aksesuar aparatin e tij telefonik para mbërritjes në SPAK dhe pas daljes së tij nga ambientet ku u njoh me vendimin.

Ky shtetas shpjegon se “Sa kemi kaluar shinat, në vendin ku ka qenë një Pazar që shiteshin gjëra të vjetra, Erioni më kërkoi telefonin që të bënte një telefonatë. Unë ia dhashë, dhe foli më vëllain e tij. Këtë gjë e di se e kam verifikuar më vonë. Vëllait i thoshte: “Skam ca të them, e kanë me mua personale”. Nuk i mbaj mend detajet e tjera, por di që ka bërë dhe një telefonatë tjetër me bashkëshorten e tij, ku i tha që të kujdesej për djalin dhe unë dëgjova Erionin që po qante. I thoshte që nuk është e drejtë që djali të rritet vetëm, nuk i kam bërë keq njeriu, nuk ka të mirë për të mirin. Nuk e mbaj mend fiks se me kë, për shkak se edhe unë jam i ngarkuar, por Erioni i ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: “Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që ti shpëtonte burgut”.

Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci аро një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAK-ut. Po kështu, Erioni gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut, i thoshte Erioni se Ulsiun e dinte që e kishte mik. Pasi mbaroi bisedat telefonike, Erioni më kërkoi që të lexonte lajmet. Unë e lashë ta përdorte telefonin tim.”/vizionplus.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu