
Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Saimir, babai i vajzës 17-vjeçare që tentoi vetëvrasjen disa ditë më parë në qytetin e Vlorës. Ai akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Gjatë seancës gjyqësore, është kërkuar një masë më e lehtë sigurie për 43-vjeçarin, por gjyqtari Bevil Beqiraj ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën “arrest me burg”.
Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm pak ditë më parë, kur 17-vjeçarja qëlloi veten me pistoletë në banesën e gjyshit të saj, duke pësuar plagë në kokë. Ajo ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Në procedimin penal është përfshirë edhe gjyshi i vajzës, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e armës. Sipas burimeve nga policia e Vlorës, dyshohet se arma është fshehur nga familjarët./ABC