
Burgu ndryshon njeriun, por për të tjerë vetëm… pamjen. Ky është rasti i Ervin Salianjit – një politikan që hyri në burg për kallëzim të rremë, por doli si influencer i mbjelljes së flokëve. Në vend që të kalonte një vit reflektimi, ai kaloi një cikël trajtimesh estetike, që me sa duket, janë më të avancuara se në çdo klinikë private në Tiranë.
Pamja e tij pas burgut është një triumf i teknologjisë mbi ndershmërinë. Me flokë të dendura, vetulla të skalitura dhe lëkurë të lëmuar me ndihmën e ndonjë botoksi rastësor, Salianji na kujton më shumë një model Instagrami sesa një politikan që ka vuajtur një dënim penal. Nëse dikur e quanin “babalen e opozitës”, sot me plot gojë mund ta quajmë “grimerin e reformuar të PD-së”.
Sipas aktivistes shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari mësohet se procedura është kryer gjatë shtrimit në spital privat të Salianjit dy muaj pas hyrjes në burg.
Ndërkohë, Grida Duma, në mënyrë krejt të parashikueshme, qëndroi pranë, duke e quajtur “bashkëudhëtar politik”, që përkthyer në shqip do të thotë: partner i trajtimeve spa dhe retushimeve estetike. Sepse ç’është dashuria, nëse jo të ndash edhe serumet e fytyrës dhe seancat e lazerit, bashkë me deklaratat politike?
Salianji nuk është më një figurë politike – ai është një metaforë. Një simbol i një klase politike që nuk burgoset për të reflektuar, por për t’u transformuar në mënyrë kozmetike. I vetmi njeri që e përdori burgun si klinikë dhe doli më i ri se kur hyri. Disa bëjnë sakrificë për bindjet e tyre. Ai bëri mbjellje për imazhin e tij.
Në fund të fundit, ndoshta nuk është as faji i tij. Në një vend ku drejtësia është show, politika është reality show, dhe opozita është thjesht një pasarelë, nuk ka asgjë për t’u çuditur. Salianji është thjesht një produkt perfekt i një sistemi që e trajton burgun si resort për bukuri dhe “vuajtjen” si një cikël promovimi për t’u bërë një tjetër hero “fake” por krenar i ditëve tona.