Në përvjetorin e katërt të nisjes së pushtimit të plotë rus, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se Rusia “nuk i ka thyer ukrainasit” dhe se Moska nuk i ka arritur objektivat e saj strategjike.

Duke iu drejtuar kombit nga Kievi, Zelensky theksoi se, pavarësisht kostos së rëndë njerëzore dhe materiale, Ukraina ka mbrojtur pavarësinë dhe shtetësinë e saj.

“Ne kemi çdo të drejtë të themi: kemi mbrojtur pavarësinë tonë, nuk e kemi humbur shtetin tonë. Putini nuk i ka arritur qëllimet e tij. Ai nuk i ka thyer ukrainasit; ai nuk e ka fituar këtë luftë”, u shpreh ai.

Mbështetje e fortë europiane në Kiev

Më shumë se një duzinë liderësh dhe zyrtarësh të lartë europianë ndodheshin në Kiev për të shënuar këtë përvjetor, në një demonstrim të qartë solidariteti ndaj Ukrainës.

Mes tyre ishin Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, si dhe kryeministrat e Danimarkës, Suedisë dhe Norvegjisë.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi luftën si “një dështim të trefishtë për Rusinë: ushtarak, ekonomik dhe strategjik”, duke theksuar se ajo ka forcuar NATO-n – pikërisht atë që Moska synonte të dobësonte.

Thirrje për Trump dhe negociata të bllokuara

Zelensky i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump të vizitojë Ukrainën për të parë nga afër pasojat e luftës.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike të ndërmjetësuara nga SHBA për t’i dhënë fund konfliktit mbeten të bllokuara, veçanërisht për çështjen e Donbasit dhe garancive të sigurisë që Kievi kërkon për të shmangur një agresion të ri rus.

Bilanci i rëndë i luftës

Sipas vlerësimeve të fundit të institucioneve ndërkombëtare, numri i ushtarëve të vrarë, plagosur apo zhdukur nga të dyja palët mund të arrijë në rreth 2 milionë deri në pranverë. Ndërkohë, kostoja e rindërtimit të Ukrainës gjatë dekadës së ardhshme llogaritet në rreth 588 miliardë dollarë – pothuajse trefishi i PBB-së së saj vjetore.

Lufta, që tashmë ka hyrë në vitin e pestë, ka marrë përmasa globale, me përfshirjen indirekte të fuqive të mëdha dhe ndikim të ndjeshëm në sigurinë europiane, ekonominë botërore dhe stabilitetin politik ndërkombëtar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu