
Detaje të reja kanë dalë nga operacioni policor i koduar “Kurtaj”, i zhvilluar në zonën e Peqinit, ku u zbulua një sasi e konsiderueshme kanabisi e kultivuar në ambiente të mbyllura.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë kontrolleve në fshatin Kurtaj, në njësinë administrative Gjocaj, janë zbuluar dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave. Në total, janë sekuestruar rreth 4 mijë bimë kanabisi, si dhe pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin.
Nga hetimet paraprake rezulton se ambienti është në pronësi të Drejtorit të Burgut Rrogozhinë, Bilal Hasa.
Në kuadër të këtij operacioni është shpallur në kërkim edhe shtetasi E.M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa po punohet për kapjen e personave të shpallur në kërkim.



