
Dibër, 17 prill 2025 – Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi entuziast me gratë dhe vajzat socialiste në Dibër, vuri theksin te roli vendimtar i tyre në strukturat vendimmarrëse të PS dhe në fitoren e ardhshme elektorale të 11 majit.
Në një fjalim emocional dhe motivues, Rama solli në vëmendje kontributin historik të grave dibrane në familje dhe shoqëri, duke theksuar: “Dibra është grua, Shqipëria është grua, edhe Europa është grua”. Ai theksoi se PS është partia që ka mbështetjen më të madhe nga gratë, me mbi 56% të përkrahjes kombëtare që vjen nga to.
Kryeministri përmendi gjithashtu edhe përfaqësimin në rritje të grave në qeverisje, duke marrë si shembull kryetaret e bashkive të Bulqizës dhe Klosit. “Festa fitoi në Bulqizë me gratë, sepse siç thotë historia e Dine Hoxhës, edhe ai i madh shihte te gruaja për vendimet e mëdha,” tha Rama.
Duke folur për përkrahjen e fortë që PS gëzon në Dibër, ai u shpreh me bindje: “4 me 1 s’ka bo vaki nga Burreli në Peshkopi”, duke e cilësuar si një sinjal të qartë të besimit të madh që votuesit dibranë kanë ndaj Partisë Socialiste.
Rama theksoi se zgjedhjet e 11 majit janë më shumë se një betejë elektorale – janë një moment historik për të treguar para Europës unitetin dhe përkushtimin e Shqipërisë për integrim dhe zhvillim.