Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Rumaninë qendrore, përgjatë rrugës natyrore Transfagarasan, një prej destinacioneve më të njohura për turistët dhe aventurierët në Karpatet rumune. Një motociclist italian, 48-vjeçari Omar Farang Zin, humbi jetën pasi u sulmua nga një ari i murrmë, teksa përpiqej të fotografonte kafshën së bashku me tre këlyshët e saj.

Ngjarja ndodhi rreth 500 metra nga diga e Vidrarut, në qarkun Arges. Sipas mediave rumune dhe autoriteteve lokale, Zin kishte ndalur motorin e tij – i cili mbante targa italiane – për të fotografuar arinu që kishte dalë në rrugë bashkë me këlyshët.

Vetëm një ditë para tragjedisë, ai kishte postuar në profilin e tij në Facebook foto dhe video të arinjve që kishte parë gjatë rrugës, madje edhe një selfie me një ari të murrmë, duke treguar pasionin e tij për aventurat dhe natyrën.

Sipas hetimeve paraprake, arusha e murrmë – një femër që mbante këlyshët pranë – e ka ndjerë kërcënimin dhe ka sulmuar motoristin, duke e plagosur rëndë dhe më pas duke e tërhequr trupin e tij në një humnerë rreth 60 metra larg rrugës. Trupi i pajetë i tij u gjet me shenja të shumta kafshimesh.

Në vendin e ngjarjes ndërhynë menjëherë forcat e rendit dhe shpëtimi malor, të cilët sipas burimeve jozyrtare, kanë qëlluar ndaj arushës për të shmangur rrezikun e mëtejshëm. Sipas raportimeve të alba24.ro, autoritetet vendore kanë identifikuar arin përgjegjës dhe kanë vendosur ta eliminojnë atë, për shkak të rrezikut që paraqiste.

Zona e Vidrarut është prej kohësh një pikë e njohur për prani të lartë të arinjve të murrmë, ku popullsia e tyre është shumëfish më e lartë sesa norma e rekomanduar. Vetëm pak javë më parë, një turist polak dhe një turiste spanjolle kishin pësuar plagë nga përplasjet me arinj në të njëjtën zonë.

Trupi i viktimës italiane u transportua në njësinë mjeko-ligjore për autopsinë dhe përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes. Pranë vendit të ngjarjes u gjetën edhe sende personale të tij, përfshirë një dorezë dhe pjesë të pajisjeve të motorit.

Transfagarasani është një prej rrugëve më të njohura panoramike në Europë, i frekuentuar çdo vit nga qindra motoristë dhe turistë që kërkojnë të përjetojnë bukuritë e egra të Karpatëve, por që tashmë përballen edhe me rreziqe të tilla të paparashikueshme nga fauna e egër.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu