Torino- Një përmbytje e rëndë ka goditur qytetin turistik Bardonecchia në provincën e Torinos, ku lumi Frejus ka dalë nga shtrati duke shkaktuar vdekjen e një burri 70-vjeçar. Viktima, Franco Chiaffrino, është gjetur pa jetë nga policia rreth 400 metra larg furgonit të tij, pasi u rrëmbye nga rrjedha e ujit dhe balta.

Autoritetet lokale kanë shpallur alarm maksimal dhe kanë vendosur zonë të kuqe përgjatë lumit. Kryetarja e bashkisë, Chiara Rossetti, u bëri thirrje qytetarëve: “Mos dilni nga shtëpitë, mos përdorni makinat dhe qëndroni larg urave. Ndiqni udhëzimet e autoriteteve!

Situata dramatike: qyteti nën ujë e baltë

Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë ujin e zi që ka përmbytur rrugët kryesore të qytetit. Më shumë se 150 fëmijë që ndodheshin në kampet verore janë evakuuar dhe strehuar në palestrën e qytetit.

Në ndërkohë, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës po punojnë për pastrimin e rrugëve nga balta dhe rrënojat, ndërsa një pjesë e madhe e rrugës provinciale 216 është mbyllur për shkak të prurjeve të forta nga lumi Frejus.

Evakuime dhe ndërprerje totale të qarkullimit

Deri tani janë evakuuar 10 persona nga një pallat dhe 4 të tjerë janë shpëtuar nga makinat e tyre të bllokuara nga uji. Situata u përkeqësua nga moti ekstrem me reshje të rrëmbyeshme dhe stuhi që përfshinë gjithë zonën e luginës së Susa.

Janë regjistruar përmbytje edhe në autostradën A32 Torino-Bardonecchia, e cila është mbyllur në të dy drejtimet në dalje për Bardonecchia.

Përmbytje dhe rrëshqitje dheu edhe në Cogne: fshati izolohet

Një situatë po aq kritike është edhe në Cogne, ku tre rrëshqitje dheu kanë izoluar përkohësisht fshatin turistik në Val d’Aosta. Reshjet intensive, të shoqëruara me breshër, kanë shkaktuar dëme të mëdha në rrugën rajonale 47, veçanërisht në një segment prej 500 metrash pranë komunës Aymavilles.

Në vetëm një orë kanë rënë mbi 40 mm reshje, duke sjellë me vete baltë, gurë dhe pemë të rrëzuara që kanë bllokuar rrugën. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.

Një automjet me pasagjerë mbeti i bllokuar, por udhëtarët u shpëtuan nga një operacion i përbashkët i zjarrfikësve dhe ekipit të shpëtimit alpin valdostan.

Rruga është bllokuar në pikën Ozein, duke detyruar qindra turistë, përfshirë edhe nga jashtë Italisë, të kthehen mbrapsht.

Pse doli nga shtrati lumi Frejus?

Sipas autoriteteve, përmbytja është shkaktuar nga stuhitë e dhunshme që goditën Val di Susa gjatë orëve të fundit. Përveç lumit Frejus, ka dalë nga shtrati edhe lumi Dora, duke përmbytur edhe rrugën shtetërore 335.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu